Protesta në Damask kundër sulmeve izraelite në Gaza

Shumë njerëz të ardhur nga zona të ndryshme të kryeqytetit dhe rrethina e tij u tubuan në sheshin Umayyad në qendër të Damaskut, ku shprehën revoltën për sulmet izraelite ndaj Gazës, por edhe ndaj territoreve të Sirisë

Qindra njerëz janë tubuar në kryeqytetin sirian Damask për të protestuar kundër sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Shumë njerëz të ardhur nga zona të ndryshme të kryeqytetit dhe rrethina e tij u tubuan në sheshin Umayyad në qendër të Damaskut, ku shprehën revoltën për sulmet izraelite ndaj Gazës, por edhe ndaj territoreve të Sirisë.

Protestuesit që mbanin pankarta të ndryshme kundër sulmeve të vazhdueshme izraelite theksuan se nuk duhet heshtur ndaj viktimave civile në Gaza. Sipas tyre, më pakta që mund të bëhet është të qëndrohet pranë popullit palestinez kundër kësaj lufte gjenocidale.

Ata gjithashtu bënë thirrje te komuniteti ndërkombëtar dhe bota arabe se është “përgjegjësia e tyre për të ndaluar gjenocidin në Gaza”.

Që nga fillimi i luftës izraelite ndaj Gazës më 7 tetor të vitit 2023, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite ka arritur në të paktën 50.700, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa numri i të plagosurve në më shumë se 115.340.

Më 18 mars, Izraeli rifilloi sulmet ndaj Gazën, duke thyer marrëveshjen e armëpushimit dhe të shkëmbimit të të burgosurve që filloi në muajin janar të këtij viti. Vetëm që atëherë në sulmet izraelite janë vrarë rreth 1.335 palestinezë dhe 3.297 të tjerë janë plagosur.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.

Kategoritë
BotaLajme