Protestat në Serbi: Bllokada rrugësh në Beograd dhe Novi Sad 100 ditë pas tragjedisë në stacionin hekurudhor

Ura më e ngarkuar në Beograd u bllokua për shtatë orë, së bashku me kryqëzimet kryesore në Novi Sad, ku më 1 nëntor humbën jetën 15 persona si pasojë e shembjes së një pjese të stacionit hekurudhor.

Me rastin e 100 ditëve nga shembja e një pjese në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, ku humbën jetën 15 persona, Ura Gazela në Beograd dhe rrugët në hyrje të Novi Sadit u bllokuan për disa orë, raporton Anadolu.

“Askush nuk është mbajtur ende përgjegjës për 15 jetët e humbura. Këmbëngulim që institucionet kompetente të marrin përgjegjësi”, thanë studentët e Fakultetit të Bujqësisë në Beograd në një thirrje për protestë të shtunën në mbrëmje.

Një kolonë studentësh nga Fakulteti i Bujqësisë në Zemun, të shoqëruar nga fermerë dhe qytetarë nga Zemuni, mbërritën në Sava Centar më herët gjatë ditës së sotme dhe më pas me kolonë u drejtuan drejt Urës Gazela, urës më të rëndësishme në kryeqytetin e Serbisë, e cila është pjesë e autostradës E75.

Protestuesit, të udhëhequr nga fermerë me traktorë, arritën në Gazela rreth orës 11:30, ndërsa më pas u bllokua qarkullimi. Bllokada pritet të zgjasë shtatë orë.

Studentët mbanin pankarta me mesazhin “Në të dy anët e lumit, qyteti është i yni” dhe emrat e 15 personave që humbën jetën më 1 nëntor në Novi Sad.

Traktorë dhe makineri bujqësore të anëtarëve të Iniciativës për Mbijetesën e Fermerëve, si dhe motoçikleta të anëtarëve të klubeve të motoçiklistëve, ishin pjesë në bllokimin e tri udhëkryqeve kryesore në hyrje të Novi Sadit.

Pas një heshtjeje prej 15 minutash në kujtim të 15 viktimave të shembjes në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, e cila shkaktoi protesta në gjithë Serbinë, pjesëmarrësit e bllokadës bënë zhurmë dhe fundi i bllokadës u shënua me duartrokitje.

Bllokada në Novi Sad zgjati deri në orën 14:00 dhe kaloi pa incidente.

Në disa qytete të Serbisë sot po mbahen protesta dhe “15 minuta heshtje”. Studentët u kanë bërë thirrje bashkëqytetarëve të tyre që të mblidhen në numër të madh në rrugët e Nishit, Beogradit, Vllasotincës, Çaçakut, Gornji Milanovacit dhe vende të tjera.

Përveç kësaj, pesë studentë nga Universiteti i Kragujevcit sot do të vrapojnë një maratonë stafetë në Beograd, në mënyrë që t’u dërgojnë ftesa kolegëve nga Novi Sadi, Nishi dhe Beogradi për protestën që do të mbahet në Kragujevc më 15 shkurt.

Kategoritë
LajmeRajoni