Partia Socialiste e Shqipërisë ka triumfuar në shumicën e bashkive të Shqipërisë në zgjedhjet vendore. Deri më tani ka fituar 49 bashki, duke kryesuar edhe në të tjerat që po numërohen. I papritur në këto zgjedhje ishte rezultati në bastionet historike të opozitës si Shkodra, Tropoja, Devolli, Kukësi, Skrapari, të cilat janë ngjyrosur me rozë.
PS ka triumfuar gjithashtu edhe në Kamëz, Vorë, Elbasan, Pustec, Kolonjë, Librazhd, Dropull,, Roskovec, Libohovë, Rrogozhinë, Këlcyrë, Gramsh, Belsh, Përmet, Delvinë, Selenicë, Tepelenë, Peqin, Poliçan, Lushnjë, Bulqizë, Mat, Klos, Korçë, Kuçovë, Sarandë, Patos, Dibër, Skrapar, Cërrik, Prrenjas, Berat, Vau i Dejës, Mallakastër, Vlorë, Konispol, Maliq, Lezhë, Dimal, Mallakastër, Divjakë, Shijaku, Pogradec, Durrës, Gjirokastër.
Edhe në bashkitë e tjera ku vijon ende numërimi si në Kurbin, Kavajë, Malësi e Madhe, Tiranë kryeson PS.
Nga ana tjetër koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka pësuar humbje disfatë me fitoren e vetëm 6 bashkive duke e tkurrur hartën e demokratëve me marrjen e bastioneve nga PS. Berisha dhe Meta nuk janë votuar as në Tropojë e Skrapar, vendet e tyre të lindjes prej të cilave janë mbështetur vazhdimisht. “Bashkë Fitojmë” ka fituar në Pukë, Has, Himarë, Memaliaj, Mirditë, Fushë Arrëz. Bashkinë Finiq e ka fituar MEGA.
–Për t’u njohur me rezultatet në kohë reale dhe shifrat KLIKONI në linkun: https://iemis.kqz.gov.al/results2023/results2023.htm
NDIQNI ZHVILLIMET MINUTË PAS MINUTE
19:47 PS shpall fitoren në Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj: Malësorët dinë ku ta çojnë votën
Partia Socialiste shpalli fitoren këtë të hënë edhe në Malësinë e Madhe.
19:23Vijon numërimi në Kukës, si ndahen votat mes Gjicit dhe Sinamatit
Vijon ende numërimi i votave në Kukës ku kandidati i PS, Safet Gjici duket se ka thelluar rezultatin ndaj kundërshtarit të tij, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Admir Sinamati.
18:56 Përmbyset rezultati në Kavajë, kryeson kandidati i Bashkë Fitojmë
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” me kandidatin Fisnik Qosja e ka kaluar Redjan Kralin e Partisë Socialiste me 164 vota ne Kavajë.
18:08 Emirjana Sako shpall fitoren në Durrës
Edhe për 4 vitet e ardhshme bashkia e Durrësit do të drejtohet nga Emirana Sako.
18:12 Drejt mandatit të dytë në Bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako: E prisnim fitoren
Kryebashkiakja e Durrësit, e cila po shkon drejt fitores për një tjetër mandat në krye të kësaj bashkie, ka reaguar gjatë ditës së sotme lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.
17:27 Nuk lëkundet Shijaku, mban në krye të bashkisë Elton Arbanën
Kandidati i Partisë Socialiste Elton Arbana ka fituar edhe për një mandat bashkinë e Shijakut, me 4400 vota diferencë nga kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë Rezeart Tusha.
17:24 PS “bllok” PD-së në Qarkun Fier, i merr të gjitha bashkitë
Edhe në Bashkinë e Fierit është mbyllur numërimi ku kandidati socialist Armando Subashi ka shpallur fitoren.
17:10 Shpallet fituesi edhe për bashkinë e Pogradecit
Sapo ka përfunduar numërimi i votave në bashkinë e Pogradecit. Fiton kandidati i PS.
16:33 Erion Veliaj 40 mijë vota më shumë se Këlliçi, Tirana u mbetet socialistëve
Në Bashkinë Tiranë nga 941 qendra votimi në total, deri më tani janë numëruar 384 prej tyre. Kandidati i PS, Erion Veliaj po shkon drejt fitores i sigurt me 54.49% (118218 vota).
16:14 PS fiton dhe Bashkinë Divjakë, Josif Gorrea zgjidhet kryebashkiak (Shifrat)
Në Bashkinë Divjakë, mandati i kryebashkiakut i është besuar kandidatit të PS-së, Josif Gorrea, i cili ka marrë 9309 vota.
16:10 PS “përzë” opozitën nga Qarku i Elbasanit, i merr të 7-ta bashkitë
Partia socialiste ka fituar 7- 0 në Qarkun e Elbasanit.
15:52 PD i “fal” fitoren kandidatit të PS në Mallakastër (Shifrat)
Nëse Partia Demokratike nuk do ishte e ndarë por do bashkoheshin votat me koalicioni “Bashkë Fitojmë”, kandidati i PS Ismailaj nuk e merrte fitoren sot.
15:34 Armando Subashi nuk e lëshon bashkinë e Fierit
Kryebashkiaku socialist Armando Subashi ka fituar zyrtarisht edhe një tjetër mandate në krye të bashkisë Fier.
14:19 Kryebashkiaku i Maliqit thyen rekordin “Guinness”, siguron mandatin e 7
Gëzim Topçiu, kandidati i Partisë Socialiste është për rekord giunnes pasi ka fituar mandatin e shtatë të kryetarit të bashkisë Maliq.
13:58 PS triumfon në 5 bashki në qarkun Vlorë
PS ka fituar 5 bashki në qarkun e Vlorës, kurse opozita një.
13:52 Përfundon numërimi në qarkun Dibër, socialistët sigurojnë fitoren
Procesi i numërimit ka përfunduar edhe në Dibër, ku kandidati i Partisë Socialiste Rahim Spahiu ka triumfuar ndaj kundërshtarëve politikë me 15323 vota në total.
13:27 Mbyllet numërimi, Pjerin Ndreu fiton Bashkinë e Lezhës
Numërimi në Lezhë ka përfunduar, ku fitues është shpallur Pjerin Ndreu, kandidati i Partisë Socialiste.
13:19 “Bie” Shkodra, PD humbje dërrmuese në bastionin historik
Mbyllet numërimi i votave për Shkodrën. Partia Socialiste ka marrë bastionin historik të demokratëve.
13:03 32 bashkitë në Shqipëri ku ka përfunduar numërimi i votave dhe kush janë kandidatët fitues
Ka përfunduar numërimi i votave për 32 bashki në Shqipëri. Në link gjeni listën e kandidatëve fitues.
12:43 Përfundon numërimi, PS fiton në Korçë (Rezultatet)
Në Korçë ka përfunduar numërimi i kutive të votimit, ku sërish ka fituar Partia Socialiste.
12:39 Kandidati i Partisë Socialiste thellon diferencën me 10 mijë vota në Shkodër
Kandidati i PS në Shkodër Benet Beci duket se po shkon drejt fitores duke i marrë fronin kandidatit të PD Bardh Spahia duke thelluar rezultatin me 10 mijë vota plus.
11:47 Devolli ngjyroset rozë pas 30 vitesh
Pas 30 vitesh Partia Socialiste ka siguruar fitoren në Devoll.
11:16 Koalicioni “Bashkë Fitojmë” rrëzon nga froni kandidatin socialist në Fushë-Arrëz
Fran Tuci, i cili kërkonte një mandat të tretë për Partinë Socialiste në Fushë Arrëz ka humbur përballë Hil Currit nga koalicioni Bashkë Fitojmë.
11:15 Mirdita i “jep duart” PS-së, e merr “Bashkë Fitojmë”, sa ishte diferenca e votave
Është mbyllur votimi në Mirditë, ku kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Albert Mëlyshi ka siguruar 55.19% të votave kundrejt kandidatit socialist Ndrec Dedaj me 44.81% të votave.
10:55 Mbyllet numërimi në Klos dhe Bulqizë, PS fiton garën, kush kryeson në Dibër dhe Mat (Rezultatet)
Numërimi i votave ka përfunduar në bashkinë e Klosit ku fitues është zgjedhur kandidatja socialiste Valbona Kola me 56.07% të votave kundrejt kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Bedri Hoxha me 43.93% të votave.
10:46 PS mban bashkinë Lushnje, diferenca mes kandidatëve
Partia Socialiste ka siguruar fitoren në Lushnje me kandidaten Eriselda Sefa e cila ka marrë mandatin për herë të parë si kryebashkiake.
10:43 Tronditen demokratët, PS thyen bastionet historike të PD! Situata nga jugu në veri
Partia Socialiste po shkon drejt fitores në pjesën dërrmuese të bashkive në Shqipëri. Nga ana tjetër demokratët duket se po humbasin edhe bastionet historike.
10:17 Memaliaj merret nga “Bashkë Fitojmë”, në Këlcyrë Alibeaj i prish punë Berishës (Rezultatet)
Bashkinë Memaliaj e ka fituar opozita ndërsa Këlcyrën socialistët, të “ndihmuar” dhe nga PD zyrtare.
10:14 U burgos dy ditë para zgjedhjeve, Fredi Beleri rrëmben fitoren në bashkinë Himarë
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Himarë ka fituar përballë kandidatit të PS Jorgo Goro.
Shkodra dhe Tirana dy bashkitë e mëdha ku lufta duket se është më e ashpër po kryesohen nga PS.
9:40 Tensionohet situata në Himarë, Fredi Beleri përmbys rezultatin në kutitë e fundit
Tensionohet situata në Himarë. Kandidati i koaliconit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, ka përmbysur rezultatin në kutitë e fundit që janë në numërim.
9:30 Numërohen shumica e votave, kush kryeson në Sarandë
32 nga 52 kuti janë numëruar deri më tani në Sarandë, ndërsa vijon ende numërimi i votave.
9:23 “Vuloset” rezultati në Rrogozhinë, kush kandidat e fiton
Ka mbaruar gjithçka në Rrogozhinë. Ka fituar kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla me vetëm 23 vota diferencë me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.
9:15 Mbyllet numërimi në Bashkinë e Peqinit, PS fiton garën
Është mbyllur numërimi i votave në Bashkinë e Peqinit.
9:08 Diferencë e ngushtë votash në Rrogozhinë mes kandidatit socialist dhe rivalit të “Bashkë Fitojmë”
48 nga 55 kuti votimi janë numëruar në Rrogozhinë, ku momentalisht kryeson kandidati socialist, Edison Molla me 10 vota më shumë ndaj rivalit të tij, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.
8:58 Beteja për Elbasanin, socialistët fitore të thellë edhe në këshillin bashkiak
Një diferencë e thellë në rezultate vihet re dhe në këshillin bashkiak në Elbasan, ku PS ka marrë 28 mandate, “Bashkë Fitojmë” 13 mandate, PD e Alibeajt 7 mandate, PDIU 1 mandat.
8:56 Kandidatët pinë kafe bashkë ditën e zgjedhjeve, dalin rezultatet për Bashkinë Roskovec
Majlinda Bufi ka fituar një tjetër mandat në drejtimin e bashkisë Roskovec. Ajo ka fituar përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Erdit Harizaj me diferencë prej 579 votash.
8:42 Isai apo Lumani, kush kryeson në Kolonjë
Sipas rezultateve të deritanishme, socialisti Erion Isai, i cili kandidon për një mandat të dytë, kryeson garën me 3491 vota.
8:36 Tropoja me surpriza, kush kryeson në Kukës dhe Has
Në Bashkinë Kukës është kandidati socialit Safet Gjici që vijon të udhëheqë teksa janë numëruar 16 nga 73 kuti.
8:22 Tepelena mbyll numërimin, Tërmet Peçi i PS mund bindshëm kundërshtarët
Ka përfunduar procesi i numërimit edhe në Tepelenë, ku ka fituar bindshëm Tërmet Peçi i PS-së.
8:20 Gara në Finiq, PD dhe BF “kokë më kokë”, i parakalon partia e tretë në garë
Finiqi vijon numërimin e votave. Ndonëse kishte shpresë për PD zyrtare, deri tani me vota kryeson Partia e Minoritetit grek.
7:48 307 kuti të numëruara, kush kryeson në Tiranë
Deri më tani garën e kryeson bindshëm kandidati socialist Erion Veliaj ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.
7:31 Vijon numërimi në Shkodër, Benet Beci vazhdon të kryesojë garën
Në Shkodër nga numërimi i 70 kutive nga 247, Benet Beci po fiton me rreth 3300 vota ndaj Bardh Spahisë së Partisë Demokratike.
7:16 Përfundon numërimi i votave, PS fiton bashkinë e Këlcyrës
Në Këlcyrë ka përfunduar numërimi i votave dhe fitues është shpallur Klement Ndoni.
7:10 Zgjedhjet/ PS siguron deri tani 7 bashki në rang vendi
Deri më tani Partia Socialiste ka arritur të sigurojë 7 bashki, ndërsa “Bashkë Fitojmë vetëm një bashki, atë të Pukës.
7:01 Përfundon numërimi në Pukë, “Bashkë Fitojmë” merr bashkinë e parë
Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Bashkinë e Pukës. Pasi janë numëruar votat në 20 qendrat e votimit, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka triumfuar duke marrë kështu zyrtarisht bashkinë e parë.