PSD’ja e akuzon Kurtin për shkelje të të drejtave të punëtorëve: Po bën plazh, është në pushim 365 ditë

Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, për 1 majin Ditën e punëtorëve.

Ata kanë vendosur para Qeverisë së Kosovës një ulëse për pushues, një qeder e pijë dhe një pankartë me mbishkrimin, “Jemi në pushim vjetor 365 ditë”, reagim ky ndaj të drejtave të punëtorëve.

Në një deklarim për media, Donjeta Demolli nga PSD-ja, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po i shkel të drejtat e punëtorëve.

Demolli ka thënë se një pastruese e Zyrës së Kryeministrit paguhet vetëm 185 euro.

“Një punëtore që e mirëmbanë zyren e Kryeministrit të Kosovës paguhet 185 euro në muaj. Polici blen çizmet vetë, e minatorët punojnë 800 metra nën sipërfaqen e tokës me helmeta t’thyme. Infermierët e mjekët punojnë pa mjetet e domosdoshme në spitale ku pikë tavani. Punëtorët e marketeve nuk pushojnë as në festa, as në fundjava, e rojet e sigurisë punojnë në kabina 1 metër katror n’zhegun e ftohtin ma t’madh, gratë vazhdojnë të punojnë pa kontrata. Kryeministri në pushim. Pushim jo vetëm festave, jo vetëm në fundjavë, por 365 ditë. Për këtë arsye ne sot e kemi ilustruar qasjen e Kryeministrit përballë punëtorëve. Ajo është pushim, qejf e rahati”.

“Ndërkohë që kryeministri pushon, dispozitat e Ligjit të Punës shkelen çdo ditë nga pronarët e mëdhenj. Pronarët me të cilët kryeministri jonë është miqësuar. Kur ishte në opozitë takohej e afrohej me sindikatat, sot i shanë e sulmon ato. Paga minimale mbetet e njëjtë. Pagë që nuk i del punëtorit me e kalu as gjysmën e muajit. E inflacionit qeveria iu përgjigj me manipulime të shifrave. Tha që i rriti pagat, e bankomati tregoi që u ndalën shtesat. Punëtori i Kosovës nuk ka sigurim shëndetësor e nuk është i siguruar nga rreziqet që sjellë tregu. Aksidenti në punë apo edhe një sëmundje si kanceri ia rrezikon atij dhe familjes së tij ekzistencën. Përditshmëria e tij është ankthi i humbjes së punës dhe zhytjes në varfëri”, shkruan EO.

“Nëse pronarët nuk e ulin fitimin kur rritet inflacioni; Nëse qeveria nuk e rritë presionin tek pronari, neve na mbetet ta rrisim solidaritetin e rezistencën. Pa rezistencë këta do ta kenë pushim 365 ditë në vit. Një punë e dinjitetshme kërkon një sërë të drejtash që do të ishin bazë për të ardhmen dhe sigurinë e çdo punëtori. Një punë e dinjitetshme nuk reduktohet me transaksionin e lëmoshës që mirret në formë page. Një jetë e dinjitetshme do të duhej të bëhej edhe në Kosovë, nëse Kryeministri nuk do të pushonte 365 ditë”.

Kategoritë
LajmeVendi