Pse është rritur çmimi i naftës në Kosovë? Flet kryenaftëtari Berjani

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i është përgjigjur pyetjes se pse po vazhdojnë të ngritën çmimet e karburanteve në Kosovë. Ai në emisionin Frontal në T7 tha se rritja e çmimeve në bursë, ka bërë që edhe në vendin tonë ketë rritje.

Ai tregon edhe pse në disa vende të rajonit ka çmime më të ulëta, duke cekur se arsyeja është ndihma nga shteti. Ai bën thirrje që të hiqet akciza, edhe pse ka shtuar se këtë kërkesë nuk e ka bërë kurrë por që tani është bërë e domosdoshme.

“Në vendet tjera kanë intervenuar shtet. Unë si kryetar nuk kam kërkuar asnjëherë që të hiqet akciza, por tani po e bëj pasi vendimi i fundit është shkatërrues. Qeveria e Kosovës duhet ta lë treg të hapur dhe liberal. Tregu duhet të lihet i hapur dhe nuk duhet të përcaktohet një marzhë që shkatërron kompanitë. Nëse don të lënë 5 mijë punëtorë rrugëve. Ju lutem, me 4-5 cent fitim nuk mund të punojë askush. Cdo pompë e benzinës ka deri 15-20 punëtorë. Me këto para nuk mund t’i mbajë ata”, tha ai.

Berjani tutje thotë se nuk ka manipulim me çmime dhe fton autoritetet të hetojnë kudo që ata mendojnë se ka dyshime. Po ashtu, Berjani bën thirrje tek qytetarët që të përdorin transportin publik, pasi që çmimet e tanishme janë të papërballueshme për qytetarët.

“Asgjë nuk ka të fshehur askund. Janë faturat. Nëse qeveria pretendon se ndonjë pikë karburanti po luan me çmime, atëherë unë do të hetojë personalisht. Por këto janë çmime të BERZËS. Po reagohet sapo po ka zbritje. Me të vërtetë janë të shtrenjta për neve. Unë u them qytetarëve që të kursejnë e të përdorin transportin publik”, përfundoi ai.

Kategoritë
LajmeVendi