Pse lufta SHBA-Kinë do të ishte ndryshe nga çdo përplasje tjetër

Harrojini tanket, avionët luftarakë, bombat. SHBA dhe Kina, duket se po i afrohen gjithnjë e më shumë luftës, por nëse do të ndodhte ndonjëherë, do të ishte krejt ndryshe nga ç’ka parë historia deri më sot. Lufta do të ndodhte nën ujë, ndaj fokusi i dy superfuqive është pikërisht aty. Ujërat e Indo-Paqësorit do të kenë dy “banorë të rinj”, dy “përbindësha” të rinj të deteve. I pari quhet “ROKS Ahn Mu”, një gjigant 3000 tonësh, i sapokrijuar nga Koreja e Jugut, si mbrojtje ndaj Koresë së Veriut. I dyti, është një “Mod VA SSW” (Modified Virginia, Subsea and Deadfare Warfare) e klasës Virginia, me të cilën Shtetet e Bashkuara synojnë të zëvendësojnë nëndetësen spiune “USS Jimmy Carter”në rast të një përballjeje me Kinën.

Dy gjigantë të rinj ujorë

Por kjo nuk është e gjitha, sepse, Shtetet e Bashkuara dërguan në Korenë e Jugut një nëndetëse me raketa balistike me energji bërthamore të klasës Ohio, pas një marrëveshjeje të arritur nga krerët e shteteve, Joe Biden dhe Yoon Suk Yeol.Duket se lëvizja erdhi pasi Pheniani zbuloi disa dronë të aftë për të kryer “sulme bërthamore nëndetëse” dhe testoi një ICBM të ri me karburant të ngurtë në muajt e fundit. Me pak fjalë, kërcënime gjithnjë e më të frikshme që kërkonin një përgjigje nga Seuli. Sakaq, Tajvani ka njoftuar se, shtatorin e ardhshëm, Taipei mund të ketë gati nëndetësen e parë të krijuar tërësisht në ishull. Ajo është 70 metra e gjatë me 8 metra e gjerë, 2500-3000 tonë, do të jetë e armatosur me 18 silurë “MK 48 Mod 6” dhe raketa “Harpoon”. “Mod VA SSW” do t’i kushtojë SHBA-së 5 miliardë dollar. Ashtu si “USS Jimmy Carter”, mund të jetë në gjendje të presë dhe përgjojë kabllot e komunikimit me fibra optike nëndetëse.

Luftë nën ujë

Ishte i pritshëm një fuqizim i mëtejshëm ushtarak nga lojtarët kryesorë në rajonin Indo-Paqësor. Duket se shtetet po gjejnë forma të reja pushtimi, në këtë rast edhe një luftë nëndetësesh.Një luftë hipotetike nën ujë do të paraqiste sfida të pazakontë operacionale. Nuk është për t’u habitur që faqja e internetit “Naval Technology” deklaron se asnjë vend nuk është i përgatitur për një konflikt të tillë. Për shembull, një sulm ndaj kabllove nënujore të internetit mund të ketë pasoja shkatërruese, efekte vdekjeprurëse në komunikimet diplomatike ose ushtarake, humbje të mëdha financiare sepse transfertat e parave do të ndërpriteshin. Dhe pikërisht kjo është strategjia e Kinës.Një skenar i tillë ndodhi aksidentalisht në ishujt Matsu, ishujt Tajvanezë që ndodhen disa kilometra larg brigjeve kineze. Vendasit janë shkëputur nga bota pasi anijet kineze, siç thonë ato rastësisht, dëmtuan dy kabllot nënujore të internetit që lidhin ishujt e vegjël me Tajvanin. Papritur, qytetarët nuk ishin më në gjendje të dërgonin mesazhe, të hidhnin video në internet, të bënin transferta bankare apo të përdornin karta krediti. Me pak fjalë, kjo situatë tregon se sa i izoluar do të ishte Taipei, në rast lufte me Kinën.

Pasojat katastrofike

Për më tepër, sulme të tilla mund të jenë shumë destabilizuese në nivelin strategjik bërthamor, duke parandaluar kundërshtarin të kontrollojë dhe monitorojë armët e tij bërthamore dhe sistemet e paralajmërimit.Për të kontrolluar lëvizjet e nëndetëseve kineze, por edhe për t’i monitoruar ato në rast se përpiqen të shkelin Paqësorin, Shtetet e Bashkuara mbështeten në një rrjet hidrofonësh dhe sensorësh të vendosur në Kinën veriore, afër Tajvanit, pranë Filipineve dhe Indonezisë. Nëse Pekini do të nisë një ofensivë nëndetëse kundër këtij rrjeti, Uashingtoni do të vepronte menjëherë, duke e konsideruar si nisje lufte.Megjithatë, nga ana e tij, edhe “Dragoi” duket se është i shqetësuar për cenueshmërinë e kabllove të tij. “South China Morning Post” shkroi se Kina ka ndërtuar dy baza për të mbrojtur kabllot e saj të vendosura në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore. Pekini gjithashtu duhet të merret me paktin e sigurisë të nënshkruar midis Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara (AUKUS). Ajo duhet të gjejë një mënyrë, sesi të përballojë një klasë të re nëndetësesh me energji bërthamore të zhvilluara bashkërisht nga të tre vendet.

Kategoritë
BotaLajme