Pse po mbahet fshehtë vlera e koeficientit të pagave?

Ligji për Pagat në sektorin publik është dekretuar dje nga Presidentja Vjosa Osmani dhe pritet të hyjë në fuqi nga shkurti, por vlera e koeficientit që përcakton kush sa do të paguhet, ende s’është bërë e ditur. Nga Qeveria s’është dhënë asnjëherë ndonjë shifër se sa do të jetë vlera, përveçse do të përcaktohet në janar. Edhe vetë Kurti e kishte pranuar në mënyrë indirekte se po vepron kështu që Ligji të mos përfundojë në Kushtetuese, ashtu që tash askush s’e di sa do të paguhet. AAK ka thënë se vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro.

Ka mbetur më pak se një muaj nga data kur pritet të hyjë në fuqi Ligji i Pagave. Por, edhe pse nga muaji tjetër, pagat do të lëvizin, askush s’e di saktë se sa do të paguhet. Vlera e koeficientit me të cilat janë përcaktuar pagat e punëtorëve të sektorit publik po mbahet e fshehtë.

Ligji është hedhur në votim dhe miratuar nga deputetët pa e ditur vlerën e koeficientit, e madje edhe është dekretuar dje nga Presidentja.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më 24 dhjetor se koeficienti do të përcaktohet në janar, duke e lidhur me Ligjin për buxhetin.

“Ne nuk mundemi ta përcaktojmë koeficientin në Ligjin e Pagave sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar. Ju po kërkoni tash përafërsisht sot më 24 dhjetor, unë po kërkoj pak durim prej juve dhe jo përafërsisht, por saktësisht në janar 2023”, kishte thënë Kurti.

Deri tash, nga ekzekutivi s’është dhënë asnjë herë ndonjë shumë se sa do të jetë vlera. Por, në një mënyrë indirekte, edhe vetë Kurti e kishte pranuar se po veprojnë kështu që Ligji të mos përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ligji për Paga u bë shumë mirë që kaloi në Kuvendin e Kosovës bashkë me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kemi marrë kohë mbase më shumë sesa që do të kishim dëshiruar, por jo më shumë sesa që ka qenë e nevojshme. Dëshirojmë të përgatitemi mirë që ligjet të mos na përfundojnë e rrëzohen nëpër gjykata, andaj edhe duke pasë parasysh edhe përvojën e hidhur kur u tentua herën e parë na është nevojitur një kohë e tillë më e gjatë”, kishte thënë Kurti.

“Prej 1 shkurti hyn në fuqi, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga është 745 milionë euro. Për neve pikënisja është tërësia. Andaj ne s’e kemi pasë si pikënisje vlerën e koeficientit, por tërësinë e buxhetit. Në muajin janar kjo do të vendoset sigurisht dhe pas 1 shkurtit do të fillojnë pagat me Ligjin e Pagave”.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, ka thënë se sipas kalkulimeve të tyre, vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se Ligji do të përfundojë në Kushtetuese, nëse u ulen pagat.

“Nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vite gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës. Të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme. Për fat të keq deri tani nuk kemi një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e Pagave, megjithatë pavarësisht kësaj. Gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar kryesuesi i KGJK’së, Albert Zogaj.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë këtë Ligj në Kushtetuese, pikërisht për punën e koeficientit.

Kush do të paguhet më së shumti?

Me Ligjin për Paga parashihet që Presidentja e Kosovës ta ketë pagën më të madhe në vend, me koeficient 18. Pas saj radhitet Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5.

Shefi dhe zëvendësshefi i Stafit në Presidencë do ta ketë koeficientin 13. Shefi i Stafit në Zyre të Kryeministrit dhe Kuvendin e Kosovës me koeficient 12.5. Këshilltarët politik me koeficient mbi 10.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës pritet ta ketë koeficientin 14.5. Ndërsa në Shërbimin Korrektues të Kosovës, udhëheqësi i pavionit është parapa ta ketë koeficientin 7.3.

Pozita e Drejtuesit në Shëndetësi është 12.4, Mjek specialist 12, Mjek në Specializim 8, Mjek i përgjithshëm, Stomatolog, Farmacist 7.4, Laborant, Infermier, Mami, Teknik mjekësor, Teknik farmacist, 5.6.

Kryetari i kryeqytetit do ta ketë koeficientin 15, ndërsa kryetarët e komunave do ta kenë koeficientin në bazë të numrit të banorëve që ka komuna. Për shembull komuna që ka mbi 100 mijë banorë, kryetari i saj do ta ketë koeficientin 13.

Kategoritë
BotaLajme