Pse Zvicra nuk ka kryeqytet: Një strategji që ka rezultuar e suksesshme

Shpesh të huajt mendojnë se kryeqyteti i Zvicrës është Zyrihu, Gjeneva apo Berna – por e vërteta është se Zvicra nuk ka një kryeqytet zyrtar. Ky është rezultat i një historie të ndërlikuar dhe një qasjeje tepër pragmatike, tipike zvicerane.

Si u ndërtua ky sistem?

Zvicra u themelua në vitin 1291 si një konfederatë e lirë kantonesh, pa një qendër të përbashkët të pushtetit. Në vend të parlamentit, ekzistonte një kongres i delegatëve të kantoneve, i njohur si Tagsatzung, i cili mbahej në qytete të ndryshme si Lucerni, Zyrihu, Schwyz, Frauenfeld, Baden – madje edhe në qytete jashtë konfederatës si Konstanca.

Pas pushtimit nga trupat franceze në vitin 1798, u krijua Republika Helvetike, një shtet i centralizuar sipas modelit francez. Kryeqyteti i saj ndryshoi disa herë: Aarau, Lucern, dhe Bern – por asnjë qytet nuk u pranua nga të gjitha palët. Kur Napoleoni riktheu sistemin kantonal me Aktin e Ndërmjetësimit në 1803, Zvicra u kthye në një konfederatë me 19 kantone, sërish pa një kryeqytet të vetëm.

Kompromisi zviceran i vitit 1848

Pas luftës civile të Sonderbund-ut në 1847, Zvicra u shndërrua në një shtet federal modern në vitin 1848. Për të shmangur dominimin e kantoneve liberale dhe për të ruajtur balancën ndërmjet katolikëve konservatorë dhe protestantëve liberalë, u bë një kompromis historik: Berna u përzgjodh si seli e institucioneve federale, por jo si kryeqytet zyrtar.

Arsyet ishin të qarta:

  • Pozita gjeografike qendrore e Bernës;
  • Mbështetja nga kantonet frëngjishtfolëse;
  • Kontributi i vetë Bernës, e cila ofroi falas tokë për ndërtesat shtetërore.

Kështu, Berna mori statusin e “qytetit federal” (Bundesstadt) – një term që nuk figuron as në kushtetutë.

Fuqitë e shpërndara

Në përputhje me filozofinë federale zvicerane, institucionet federale janë të shpërndara në qytete të ndryshme:

  • Gjykata Federale është në Lozanë,
  • Gjykata Penale Federale në Bellinzona,
  • Banka Kombëtare Zvicerane ka seli në Zyrih dhe Bernë.

Stabilitet dhe sukses

Sipas historianit André Holenstein, ky mos-zgjedhje e një kryeqyteti të vetëm ishte një vendim i qëllimshëm, për të ruajtur unitetin në një vend të përbërë nga shumë kultura, gjuhë dhe bindje politike. Dhe kjo strategji ka rezultuar jashtëzakonisht e suksesshme: Zvicra është sot një nga demokracitë më të qëndrueshme dhe më të zhvilluara në botë, shkruan Swissinfo.

Kategoritë
BotaLajme