Portali serb Informer, që shpesh përshkruhet si zëdhënësi jozyrtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, publikoi në faqen e parë një lajm që lidhet me studentët kroatë të cilët kishin shkuar në Serbi për të mbështetur protestat studentore, duke i quajtur ata “spiunë” që “duan të rrëzojnë shtetin”.
Në tekstin me ton nxitës të Informer, përmenden emrat e tetë studentëve kroatë, të cilët pretendohet se janë “agjentë të huaj”, “turistë të rremë” dhe “po kryejnë operacione në Serbi, veçanërisht në Beograd, me qëllim destabilizimin e Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiç”, raporton Jutarnji list.
Këto informacione, thuhet se janë zbuluar nga kryeredaktori i Informer, Dragan J. Vuçiçeviç, një njeri që në Serbi përshkruhet si “kasapi mediatik”, “grushti i Vuçiç-it” dhe “shpifës moral”, i cili kroatët shpesh i quan ustashë. Ai pretendon se ka zbuluar një lidhje mes një plani kroato-ukrainas kundër Serbisë.
“Kemi arritur të sigurojmë prova. Këta studentë të rremë, agjentë të maskuar, së bashku me ekstremistët ukrainas po veprojnë kundër Serbisë dhe po marrin pjesë në protesta. Madje, dyshohet se punojnë për shërbimin kroat të sigurisë (SOA)”, deklaroi Vuçiçeviç.
Në tekst janë publikuar emrat dhe mbiemrat e studentëve kroatë. Duke gjykuar nga fotot, duket se disa bashkëpunëtorë të Informer i kanë ndjekur studentët në Beograd.
Sipas tij, më 28 dhjetor, ditë e shtunë, studentët kroatë kanë qenë në ndërtesën e Fakulteteve Teknike të Universitetit të Beogradit. Si më të shquarin mes tyre, përmendin presidentin e një organizate joqeveritare të quajtur “Rrjeti i të Rinjve të Kroacisë”.
Vuçiçeviç pretendon se grupi i studentëve kroatë ka mbërritur në Serbi më 27 dhjetor në orët e hershme të mëngjesit dhe se gjoja kanë parkuar autobusin e tyre në Borça. Shërbimet speciale serbe, sipas tij, kanë vërejtur praninë e tyre që atëherë.
Ai gjithashtu theksoi se studentët kroatë vizituan Shtëpinë e Luleve, gjë që e konsideron si një përpjekje për t’u paraqitur si turistë. Megjithatë, lëvizjet e tyre drejt Fakulteteve Teknike në mbrëmje, gjatë bllokadave studentore, i vlerësoi të dyshimta.
“Çfarë turistësh vizitojnë ndërtesën e ETF-së në mbrëmje, gjatë bllokadave studentore?”, përfundoi Vuçiçeviç.