Publikohen pamje të reja nga momenti i rrënimit të urës historike të Mostarit para 30 vitesh

“Ata që mund të përdorin shumë lehtë fjalët konflikt dhe luftë, duhet ta shikojnë videon dhe të shohin se çfarë ka përjetuar Bosnjë e Hercegovina dhe Mostari”, tha Oruçeviq

Pamjet e pashpërndara me publikun të urës historike të Mostarit në jug të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), nga momenti i shkatërrimit nga trupat kroate në vitin 1993, u shpërndanë për herë të parë, transmeton Anadolu.

Videoja e shpërndarë nga Unioni i Ushtarëve të Mostarit (JOB) dhe Qendra për Paqe dhe Bashkëpunim Shumë-etnik Mostar, tregon pamjet e urës së Mostarit, e cila u shkatërrua gjatë luftës në BeH, nga ana ku ishin vendosur trupat e Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO) u publikuan për publikun.

“Pamjet vënë në pah se si trupat kroate synojnë pikat më të ndjeshme të urës”, thuhet në deklaratën ku theksohet se trupat kroate kanë incizuar momentin e rrëzimit të urës.

Drejtori i Qendrës në fjalë, Safer Oruçeviq tha se deri tek pamjet arritën rastësisht. “Ata që mund të përdorin shumë lehtë fjalët konflikt dhe luftë, duhet ta shikojnë videon dhe të shohin se çfarë ka përjetuar Bosnjë e Hercegovina dhe Mostari”, tha Oruçeviq.

Ndërkohë, në video dëgjohen festimet e ushtarëve kroatë dhe fyerjet e tyre ndaj boshnjakëve.

– Rindërtimi i urës

Ura e Mostarit, një nga veprat më të rëndësishme osmane në BeH u ndërtua nga arkitekti Hayreddin në vitin 1566.

Ura nuk arriti të përballonte sulmet intensive të njësisë artilerike të Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO) më 8 nëntor 1993 dhe u shkatërrua më 9 nëntor në orën 10:16.

Shkatërrimi i urës ngjalli shumë reagime nga mbarë bota.

Me mbështetjen e disa vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe Türkiye-n, ura u rindërtua në përputhje me origjinalin dhe u hap me ceremoni në vitin 2004.

Bashkë me qytetin e vjetër të Mostarit, ura u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Kategoritë
LajmeRajoni