E kanë nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pas fitoreve ndaj Everton e Manchester United, “Pulëbardhat” e Brighton kanë regjistruar një tjetër rezultat pozitiv kësaj here, përballë “Topçinjve” të Arsenal, duke i ndalur këta të fundit në barazimin 1-1.
Të parët që gjetën avantazhin në “Emirates” ishin pikërisht vendasit, me “yllin” gjerman, Kai Havertz, që shfrytëzon më së miri një asist të Bukayo Saka, duke dërguar topin në rrjetën e Verbruggen, për të mbyllur pjesën e parë, me shifrat 1-0.
Me fillimin e fraksionit të dytë të sfidës “Topçinjtë” mbeten me 10 lojtarë, pas daljes me kartonin e kuq, të Declan Rice dhe nga ky moment përfitojnë “Pulëbardhat”, duke barazuar me “yllin” brazilian, Joao Pedro, në minutën e 58’-të, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fundin e lojës.
Falë këtij rezultati, Brighton e Arsenal ngjiten në vendin e parë dhe të dytë të tabelës, me nga 7 pikë, ndërsa pas tyre vijnë Manchester City e Liverpool, me nga 6 pikë, teksa ende nuk kanë zhvilluar sfidat e tyre për këtë javë.