Punonjësit e aeroportit të Parisit anulojnë grevën e fundjavës pas rritjes së pagave

Pas një takimi në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle, punonjësit votuan në favor të një marrëveshjeje për një rritje të pagave prej 3 për qind

Punonjësit e operatorit kryesor të aeroportit të Parisit ADP kanë rënë dakord të anulojnë grevën e planifikuar të fundjavës pas një marrëveshjeje për rritjen e pagave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas transmetuesit publik FranceInfo, pas një takimi në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle, punonjësit votuan në favor të një marrëveshjeje për një rritje të pagave prej 3 për qind.

Në raportim thuhet se ADP gjithashtu ka rënë dakord vazhdojë me rritjen e pagave për rreth 1.800 punonjës, gjë që kishte ngecur për shkak të pandemisë.

Vendimi nënkupton se nuk priten ndërprerje të mëdha këtë fundjavë, periudhë që shënon fillimin e pushimeve verore në Francë.

Qindra fluturime janë anuluar pasi kaosi mbretëroi në aeroportet në Paris që kur punëtorët, përfshirë zjarrfikësit dhe personelin tjetër tokësor, filluan protestat në fund të qershorit.

Sindikatat e punonjësve kishin kërcënuar me grevë sërish këtë fundjavë nëse nuk plotësoheshin kërkesat e tyre për paga më të mira dhe kushte më të favorshme pune.

Ata fillimisht kishin kërkuar një rritje prej 4 për qind në mënyrë retroaktive deri në janar.

Charles de Gaulle është ende i ndikuar nga protestat e javës së kaluar dhe një problemi teknik që ka lënë të mbërthyera deri në 20.000 bagazhe në aeroport.

Rreth 17.000 prej tyre i përkasin pasagjerëve të Air France dhe rreth 3.000 ishin nga linja të tjera ajrore, tha një përfaqësues i sindikatës së ADP-së për BFMTV.

Do të duhen muaj që pasagjerët të marrin përsëri bagazhet e tyre, ndërsa shumë do të duhet të pranojnë që çantat e tyre janë humbur përgjithmonë, citohet të ketë thënë zyrtari.

Kategoritë
BotaLajme