Punonjësit shëndetësor indonezianë në protestë kundër sulmeve izraelite në Gaza

Protestuesit, të cilët shëtitën nëpër rrugët e kryeqytetit me automjete të ndihmës së shpejtë dhe me sirena të ndezura, bënë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të sulmeve ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe civilëve në Gaza

Qindra punonjës shëndetësor indonezianë janë tubuar në rrugën Thamrin në kryeqytetin Jakarta për të protestuar kundër veprimeve ushtarake izraelite në Gaza që kanë rezultuar me vdekjen e dhjetëra mijëra palestinezëve, përfshirë edhe të personelit mjekësor palestinez, raporton Anadolu.

Protestuesit, të cilët gjithashtu shëtitën nëpër rrugët e kryeqytetit indonezian me automjete të ndihmës së shpejtë dhe me sirena të ndezura, bënë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të sulmeve ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe civilëve në Gaza.

Më 18 mars, Izraeli rifilloi sulmet ndaj Gazën, duke thyer marrëveshjen e armëpushimit dhe të shkëmbimit të të burgosurve që filloi në muajin janar të këtij viti. Vetëm që atëherë në sulmet izraelite janë vrarë rreth 1.335 palestinezë dhe 3.297 të tjerë janë plagosur.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të përshkallëzojë sulmet në Gaza mes përpjekjeve për të zbatuar planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvendosur palestinezët nga enklava palestineze.

Që nga fillimi i luftës izraelite ndaj Gazës më 7 tetor të vitit 2023, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite ka arritur në të paktën 50.700, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa numri i të plagosurve në më shumë se 115.340.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.

Kategoritë
BotaLajme