Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-ve tha për Sky News Arabia se hetimi që po kryhet nga shërbimet e inteligjencës në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve mbi planin ushtarak izraelit për sulm ndaj Iranit po fillon të tregojë “dyshime” për përfshirjen e një punonjëseje të lartë në Pentagon.
Zyrtari amerikan shtoi se punonjësja e dyshuar për rrjedhjen e dokumenteve mbi planin ushtarak izraelit për sulm ndaj Iranit është një amerikane me prejardhje iraniane, me emrin Ariane Tabatabai.
Në pritje të shpalljes së rezultateve të hetimit zyrtar, zyrtari shpjegoi se komisionet e inteligjencës dhe ato të forcave të armatosura në Kongres janë informuar për këtë çështje, veçanërisht pasi e dyshuara ka “leje të rangut të lartë të sekretit”, që i jep asaj akses në informacione shumë konfidenciale.
Informacioni që Sky News Arabia ka marrë tregon se e dyshuara, e cila ende nuk është dënuar, Ariane Tabatabai, punon si drejtoreshë e Zyrës së Ndihmësministrit të Mbrojtjes për Operacione Speciale dhe Konflikte Ndërkombëtare.
Anëtarët e Kongresit të SHBA-ve, veçanërisht republikanët, kanë lidhur emrin e të dyshuarës me hetimet kundër të dërguarit amerikan për Iranin, Robert Malley, kundër të cilit është kryer një hetim për dyshimin se ka trajtuar të dhëna konfidenciale pa leje paraprake dhe ka vendosur kontakte të fshehta me figura iraniane.
Washingtoni ka hapur një hetim për rrjedhjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete që përfshijnë vlerësimin e planeve izraelite për të sulmuar Iranin, sipas tre zyrtarëve amerikanë që folën për Associated Press.
Një zyrtar i katërt tregoi se dokumentet duket se janë zyrtare dhe autentike.
Dokumentet që i atribuohen agjencive amerikane tregojnë se Izraeli po vazhdon të transferojë pasuri ushtarake për të filluar një sulm ushtarak ndaj Iranit.
Dokumentet ishin të disponueshme për ndarje brenda aleancës së inteligjencës “Five Eyes”, e cila përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kanadanë, Zelandën e Re dhe Australinë.