Pushimet u kthyen në makth, pushuesit rrëfejnë tmerrin në Greqi: Kishim të vjella dhe diarre për ditë të tëra

Disa pushues britanikë janë ankuar për pushimet në Greqi pasi u prekën nga një sëmundje. Ata thonë se ishin të detyruar të qëndronin në dhomat e hotelit Maritimo Beach në Sissi pasi dhjetëra pushues u ndjenë të sëmurë, me të përziera, me të vjella dhe diarre.

Ata pretendojnë se megjithëse ky problem vijonte prej disa kohësh, kompanitë e udhëtimit EasyJet dhe Jet2 kanë vazhduar të dërgojnë klientët në hotel. Midis të prekurve është dhe një infermiere Wendy Hampton, e cila udhëtoi drejt Greqisë së bashku me familjen e saj.

Një tjetër pushuese, Dr Tamily Duggan tregoi sesi vajza e saj 12-vjeçare u dehidratua aq shumë sa duhej ta shtronte në spital. “Më duhej të thërrisja mjekun për të parë vajzën ditën e dytë, sepse ishte shumë e sëmurë. Ajo kishte vjellë 14 herë në disa orë dhe mezi qëndronte në këmbë.

Burri im, vajza dhe unë ishim të gjithë të sëmurë brenda 24 orëve nga mbërritja në hotel. Ne qëndruam në dhomë për dy ditë pa ujë dhe pa mjete për të kontaktuar recepsionin. Kur zbrita atje për të raportuar sëmundjen, gjeta një mjek dhe shtatë familje të tjera me të njëjtat simptoma.”, tha Duggan.

46 vjeçarja Mel Lawrence, dhe familja e saj u përballën me të njëjtën situatë. Ajo tregon se kaluan 7 netë të mjerueshme në hotelin me insekte pasi mbërritën për të qëndruar për 11 ditë. “Brenda 24 orëve filluam të sëmuremi dhe u përkeqësua gjatë gjithë mbrëmjes.

Burri im Richard dhe djali im Jozefi nuk mund të ngrihen nga shtrati, ata ndihen aq të sëmurë. Ajo që me të vërtetë më mërzit është se hoteli dhe EasyJet e dinin se kishte një problem që qarkullonte në hotel, por ata nuk bënë asgjë për të paralajmëruar askënd për këtë.

Dhjetëra njerëz janë goditur nga ajo në kohën e shkurtër që ne kemi qenë këtu. Ambulancat i kanë çuar mysafirët e hotelit në spital për shkak të tij prej javësh”, tha ajo.

Kategoritë
BotaLajme