Pushka turke snajper KN-12 me kalibër të ndryshueshëm, hyn për herë të parë në inventarin e ushtrisë

Kreu i Korporatës së Industrisë Mekanike dhe Kimike informoi se pushka ka përfunduar me sukses testimet e kualifikimit të vështirë në kuadrin e standardeve të NATO-s

Këtë muaj në inventarin e Forcave të Armatosura Turke do të përfshihet pushka e parë snajper me kalibër të ndryshueshëm e Türkiyes (Turqisë), raporton Anadolu Agency (AA).

Korporata e Industrisë Mekanike dhe Kimike (MKE) ekspozoi shembuj nga sistemet e armëve të lehta dhe rënda në zonën e ekspozitës së ngritur në kuadrin e stërvitjes së përbashkët me goditje aktuale në terren “Efes-2022” e cila u zhvillua në zonën Doğanbey në rajonin Seferihisar në qytetin Izmir.

Drejtori i përgjithshëm i MKE-së, Yasin Akdere, për gazetarin e AA-së tha se kanë përfunduar pushkën e parë snajper të kalibrit të ndryshueshëm të Türkiyes, i cili është projektuar dhe zhvilluar në përputhje me nevojat dhe kërkesat e Forcave të Armatosura Turke dhe e cila ndodhet në grupin e armëve që janë një prej katër linjave kryesore.

Pushka ka cilësinë për t’u përdorur me dy municione të ndryshme, në 7,62 dhe 8,59 milimetra, deklaroi Akdere, duke vënë në dukje se KN-12 peshon 7,2 kilogramë dhe ka gjatësi 1 metër.

Akdere informoi se pushka ka përfunduar me sukses testimet e kualifikimit të vështirë në kuadrin e standardeve të NATO-s dhe tha se “Pushka jonë do të hyjë në inventarin e forcave tona që nga ky muaj”.

– Ka një distancë prej 1.500 metrash

Ai theksoi se si kompani veprojnë me qasjen e “pavarësisë së plotë” për çështjet që hyjnë në fushat e tyre të aktivitetit. Akdere më tej njoftoi se “Në këtë kuptim, dëshiroj të ndaj krenarinë dhe lumturinë për fillimin e prodhimit në seri (masiv) në mënyrë vendase dhe kombëtare të municionit 8,59 milimetër në fabrikën Gazi Fişek”.

Akdere informoi se vazhdojnë bisedimet dhe aktivitetet e marketingut në lidhje me KN-12.

“Në ditët e ardhshme do të rrisim kontributin tonë në eksportet e industrisë së mbrojtjes duke nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në këtë kuptim”, shtoi më tej Akdere.

Pushka KN-12 ka një karikator me kapacitet 5 fishekë për kalibrin 8,59 milimetër dhe 10 fishekë për kalibrin 7,62 milimetër, si dhe një distancë prej 1.500 metrash.

Kategoritë
BotaLajme