Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se bota po përballet me “dekadën më të rrezikshme” që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
“Bota unipolare është një gjë e së kaluarës. Jemi në një kufi historik. Përpara është dekada më e rrezikshme, e paparashikueshme dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Putin, duke folur në klubin e diskutimit Valdai në Moskë.
Ai ka folur gjithashtu për konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë duke thënë se ajo që po ndodh ishte e pashmangshme dhe duke fajësuar Perëndimin për krijimin e krizës – një pretendim që ai e ka bërë vazhdimisht që nga fillimi i pushtimit.
Vendet perëndimore e kanë denoncuar pushtimin e Putinit dhe janë zotuar të mos e njohin rajonin që Moska pretendon të aneksojë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Ndryshimet në Ukrainë nuk nisën me fillimin e një operacioni special ushtarak. Këto ndryshime kanë vazhduar për shumë vite. Ndryshimi tektonik në rendin botëror ka vazhduar për shumë vite”, tha Putin.
“Zgjerimi i NATO-s në Ukrainë, i cili ishte krejtësisht i papranueshëm për ne – të gjithë e dinin këtë dhe ata e injoruan. Ata injoruan totalisht interesin në fushën e sigurisë dhe një përpjekje e caktuar sapo dështoi”, shtoi lideri rus.
“Rusët dhe ukrainasit janë historikisht një popull. Është pothuajse si një luftë civile që po ndodh tani,” vazhdoi ai.
Ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se situata aktuale në mbarë botën ka “parakushtet për një revolucion”.
Më herët në fjalimin e tij ai theksoi nevojën për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet perëndimore, duke shtuar se Moska “asnjëherë nuk e ka konsideruar dhe nuk e konsideron veten armike të Perëndimit”.