Putin dhe Macron diskutojnë në telefon situatën rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia

Sipas njoftimit nga Kremlini, Putin theksoi se bombardimi i uzinës krijon rrezikun e një katastrofe masive bërthamore që mund të çojë në kontaminim të territoreve të gjera

Presidenti rus, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, kanë diskutuar zhvillimet e fundit rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia (NPP), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Kremlini, Putin theksoi se bombardimi i uzinës krijon rrezikun e një katastrofe masive bërthamore që mund të çojë në kontaminim të territoreve të gjera.

Të dy presidentët theksuan rëndësinë e një organizimi të shpejtë të një vizite të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në NPP, me qëllim për të vlerësuar situatën aktuale.

“Pala ruse konfirmoi gatishmërinë e saj për t’u ofruar inspektorëve të agjencisë ndihmën e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Putin gjithashtu kujtoi ftesën për ekspertët nga Sekretariati i Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) për të vizituar qendrën e paraburgimit në Yelenivka, ku, siç tha presidenti rus, një numër i madh i të burgosurve ukrainas të luftës u vranë si rezultat i një sulmi me raketa nga forcat e armatosura të Ukrainës.

Presidenti rus po ashtu informoi për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 22 korrik në Istanbul për eksportin e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi, si dhe për eksportin e ushqimit dhe plehrave ruse në tregjet botërore.

“U theksua se ka akoma pengesa për eksportet e përmendura ruse, të cilat nuk kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve që lidhen me garantimin e sigurisë globale të ushqimit”, theksohet në njoftim.

Sipas Kremlinit, presidentët e Rusisë dhe Francës ranë dakord të vazhdojnë kontaktet edhe për çështje të tjera.

Kategoritë
BotaLajme