Putin diskuton për situatën në Siri me homologun e tij iranian

Në deklaratën e Kremlinit thuhet se të dy presidentët nënvizuan rëndësinë e koordinimit të përpjekjeve në kuadër të bisedimeve të zhvilluara në formatin e Astanës me pjesëmarrjen e Türkiyes

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin zhvilloi bisedë telefonike me presidentin iranian Masoud Pezeshkian në të cilën u diskutua situata në Siri, raporton Anadolu.

Në një deklaratë të Kremlinit thuhet se bisedimet midis presidentëve Putin dhe Pezeshkian, të zhvilluara me iniciativën e Teheranit, përcollën “mbështetje të pakushtëzuar” për veprimet e ndërmarra nga regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad për “rivendosjen e rendit kushtetues”.

Në deklaratë thuhet se të dy presidentët nënvizuan rëndësinë e koordinimit të përpjekjeve në kuadër të bisedimeve të zhvilluara në formatin e Astanës me pjesëmarrjen e Türkiyes.

Në deklaratë shtohet se bisedimet trajtuan gjithashtu çështje në zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh midis Rusisë dhe Iranit në fusha të ndryshme, duke marrë parasysh marrëveshjet e arritura midis dy liderëve pas bisedimeve në tetor.

Liderët zhvilluan bisedime më 23 tetor, në margjinat e samitit të BRICS 2024 në Kazan, Rusi.

“Është përshkruar një plan për kontakte të mëtejshme midis dy liderëve në nivele të tjera”, shtohet në deklaratën e Kremlinit.

Javën e kaluar shpërthyen përleshje midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve të armatosura të opozitës në zonat rurale të qytetit të madh sirian Halep, duke shënuar një ripërshkallëzim të luftimeve pas një periudhe qetësie relative në luftën civile të Sirisë, e cila shpërtheu në vitin 2011.

Kategoritë
BotaLajme