Rusia dhe Shtetet e Bashkuara luajnë një rol të rëndësishëm në çështjet aktuale, duke përfshirë forcimin e stabilitetit dhe sigurisë strategjike, ka thënë presidenti rus
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, përgëzoi për fillimin e detyrës Donald Trumpin, i zgjedhur si presidenti i 47-të i SHBA-së, duke theksuar se Moska është e hapur për dialog me administratën e re amerikane për çështjen e Ukrainës, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga Pallati i Kremlinit, Putin ka mbajtur një mbledhje me anëtarët e Këshillit të Sigurisë së Rusisë.
Në mbledhje është diskutuar situata në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, si dhe marrëdhëniet Rusi-SHBA.
Në deklaratën e tij në takim, Putin ka tërhequr vëmendjen në deklaratat e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, se ai dëshiron të rivendosë kontaktet me Rusinë dhe se një luftë e tretë botërore duhet të parandalohej. “Sigurisht, ne e mirëpresim këtë qasje dhe përgëzojmë presidentin e zgjedhur të SHBA-së për marrjen e detyrës”.
Duke thënë se janë gjithmonë të hapur për dialog me SHBA-në, Putin ka vënë në dukje se “dialogu duhet të bazohet në barazi dhe respekt të ndërsjellë”.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara luajnë një rol të rëndësishëm në çështjet aktuale, duke përfshirë forcimin e stabilitetit dhe sigurisë strategjike, ka theksuar Putin, duke shtuar:
“Ne jemi të hapur për dialog me administratën e re amerikane për çështjen e Ukrainës. Elementi më i rëndësishëm këtu është eliminimi i shkaqeve rrënjësore të krizës. Në zgjidhjen e çështjes, nuk mund të bëhet fjalë që të sigurohet një armëpushim afatshkurtër dhe jo të jepet pauzë për riarmatimin e forcave ushtarake për të vazhduar konfliktin. Duhet të sigurohet paqja afatgjatë e bazuar në respektimin e interesave legjitime të të gjithë njerëzve, të të gjithë popujve që jetojnë në këtë rajon”.
Presidenti Putin ka thënë ndër të tjera se do të luftojnë për interesat e Rusisë dhe popullit rus.