Putin në vizitën e parë jashtë vendit që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin do të udhëtojë në Taxhikistan të martën ndërsa të mërkurën në Turkmenistan

Presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë një vizitë në kryeqytetin e Taxhikistanit, Dushanbe të martën, që është udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga fillimi i luftës në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Për vizitën njoftoi zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov në një konferencë për media në Moskë të hënën.

“Një vizitë pune e presidentit Putin në Taxhikistan është planifikuar për nesër. Ai do të takohet me (presidentin e Taxhikistanit Emomali) Rahmon për bisedime”, tha Peskov.

Të dy liderët do të kenë një takim “kokë më kokë”, tha më tej zëdhënësi.

Pas Taxhikistanit, lideri rus do të shkojë në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashgabat, ku do të marrë pjesë në samitin e shteteve të Kaspikut 2022, tha Peskov.

Hera e fundit që Putin bëri një udhëtim jashtë vendit ishte në fillim të shkurtit, kur ai vizitoi Pekinin për hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore 2022 dhe pati bisedime me presidentin kinez, Xi Jinping.

Rusia nisi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, ku sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së janë vrarë 4.731 civilë dhe 5.900 janë plagosur.

Kategoritë
BotaLajme