Putin njofton stërvitje të reja ushtarake të CSTO-së

Të gjitha stërvitjet, duke kombinuar stërvitjet e përbërësve të ndryshëm të trupave të CSTO-së, janë planifikuar të mbahen në një mjedis të vetëm operacional në territorin e Kazakistanit

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka njoftuar stërvitje të reja ushtarake të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), bllokut të udhëhequr nga Moska, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim në Soçi të Rusisë me homologun e tij të Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, presidenti Putin theksoi se këtë vit vendi i tij dhe Kazakistani shënojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe se të dy vendet bashkëpunojnë ngushtë në shumë fusha.

“Ministritë dhe departamentet tona janë duke punuar në mënyrë aktive, komisioni ndërqeveritar po punon në mënyrë aktive. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministritë e Mbrojtjes po përgatisin së bashku ngjarje të ndryshme, përfshirë stërvitje të përbashkëta në kuadër të CSTO-së”, tha Putin.

Më herët, shërbimi ushtarak i Kazakistanit raportoi mbajtjen e bisedimeve me homologët e vendeve anëtare të CSTO-së për përgatitjen dhe kryerjen e stërvitjeve speciale ‘Poisk-2022’, ‘Echelon-2022’ dhe ‘Interaction-2022’.

Përfaqësuesit e CSTO-së ranë dakord për rolet e tyre kyçe të stërvitjeve, kontingjentet dhe çështjet e tjera organizative.

Të gjitha stërvitjet, duke kombinuar stërvitjet e përbërësve të ndryshëm të trupave të CSTO-së, janë planifikuar të mbahen në një mjedis të vetëm operacional në territorin e Kazakistanit në terrenin e stërvitjes ‘Matybulak’.

Gjatë stërvitjeve speciale ‘Poisk-2022’ do të përpunohen çështje të organizimit dhe kryerjes së inteligjencës, ndërsa gjatë stërvitjeve ‘Interaction-2022’ do të përpunohen çështjet e përgatitjes dhe kryerjes së një operacioni të përbashkët për lokalizimin e një konflikti të armatosur të zonave të sigurisë kolektive në rajonin e Azisë Qendrore.

Kategoritë
BotaLajme