Presidenti rus Putin tha se situata në Lindjen e Mesme është përkeqësuar ndërsa korrigjimi i padrejtësisë historike ndaj popullit palestinez mund të garantojë paqen në Lindjen e Mesme
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se situata në Lindjen e Mesme është përkeqësuar ndërsa korrigjimi i padrejtësisë historike ndaj popullit palestinez mund të garantojë paqen në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Putin foli në takimin e “Zgjeruar BRICS+” në Samitin e Liderëve të BRICS-it të mbajtur në Kazan, kryeqyteti i Republikës së Tataristanit të Federatës Ruse.
Duke thënë se kalimi në një rend botëror më të drejtë nuk është i lehtë, Putin tha se “Formimi i këtij procesi pengohet nga forca që janë mësuar të mendojnë dhe të veprojnë me logjikën e dominimit të gjithçkaje”.
Ai theksoi se është e nevojshme të krijohen mekanizma financiare shumëpalëshe alternative, të besueshme dhe pa imponime, zinxhirë të rinj prodhimi dhe se është e rëndësishme të zhvillohen dhe rriten kapacitetet e korridoreve të transportit ndërkombëtar.
“Në Rripin e Gazës kanë vdekur më shumë se 40 mijë njerëz, shumica prej tyre civilë. Konflikti që filloi në Gaza vitin e kaluar tani është përhapur në Liban ndërsa preken edhe vende të tjera të rajonit. Niveli i konfliktit mes Iranit dhe Izraelit është rritur me shpejtësi. Të gjitha këto ngjajnë me një reaksion zinxhir dhe sjellin të gjithë Lindjen e Mesme në prag të një lufte në shkallë të gjerë”, tha Putin.
Presidenti rus tha se duhet të ndërmerren hapa në lidhje me Palestinën. “Korrigjimi i padrejtësisë historike kundër popullit palestinez mund të garantojë paqen në Lindjen e Mesme. Derisa të zgjidhet ky problem, rrethi vicioz i dhunës nuk do të thyhet. Njerëzit do të vazhdojnë të jetojnë në një atmosferë krize të përhershme”, thekson Putin.
Ai tha se në takimin e sotëm do të bisedohet “seriozisht” rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ku situata është përkeqësuar.
– Lufta në Ukrainë dhe thirrje për reforma në OKB
Putin shpjegoi se janë ndërmarrë disa hapa inkurajues kundër fillimit të konflikteve midis vendeve. “Ukraina është një shembull i kësaj. Duke injoruar shqetësimet tona ato po përdoren për të paraqitur kërcënim për sigurinë e Rusisë dhe për të shkelur të drejtat e njerëzve rusishtfolës”, shtoi ai.
Duke nënvizuar se “dëshira e Rusisë për humbje strategjike” është një “ëndërr”, Putin tha se ata që e duan këtë nuk e dinë historinë ruse.
Ai tha se prezantuan ide për krijimin e një sistemi sigurie të bazuar në barazi në Euroazi. “Këto ide kanë të bëjnë me përpjekjet e përbashkëta për të garantuar në mënyrë të sigurt stabilitetin real dhe për të krijuar kushtet për zhvillimin paqësor të të gjitha shteteve dhe popujve në kontinent”, shtoi Putin.
Sipas tij, struktura e OKB-së duhet të përshtatet me realitetin e shekullit 21 dhe se vendet aziatike, afrikane dhe të Amerikës Latine duhet të jenë më të përfaqësuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.