Putin po dërgon njerëzit e tij më të rëndësishëm për negociata me SHBA-në: Bisedime për armëpushimin në Ukrainë pa Ukrainën

Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, dhe këshilltari i presidentit rus për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, do të udhëtojnë në Riad për një takim me zyrtarë amerikanë, ka konfirmuar Kremlini.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, njoftoi se Lavrov dhe Ushakov do të takohen të martën në kryeqytetin e Arabisë Saudite me sekretarin amerikan të shtetit, Mark Rubio, dhe të dërguarin e posaçëm të Washingtonit për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellog.

Tema kryesore e takimit do të jetë rivendosja e marrëdhënieve ruso-amerikane, si dhe përgatitja e mundshme e negociatave për krizën në Ukrainë.

“Evropianët, përfshirë Francën dhe Britaninë e Madhe, po flasin gjithnjë e më shumë për dislokimin e forcave paqeruajtëse në Ukrainë, por rregullat janë të qarta”, theksoi Peskov, duke komentuar deklaratën e kryeministrit britanik, Keir Starmer, se Londra është e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë në kuadër të një misioni paqeruajtës.

Më herët, Kremlini theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten “bashkëbiseduesi kryesor” i Rusisë në negociatat për Ukrainën.

“Partneri ynë kyç në këtë proces është Washingtoni”, tha Peskov për kanalin e parë rus.

Ai gjithashtu deklaroi se në javët e ardhshme do të intensifikohen kontaktet mes Moskës dhe Washingtonit, me qëllim organizimin e një takimi mes presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trumpit.

Peskov shtoi se Putin nuk ka biseduar me Trumpin për rolin e Bashkimit Evropian në procesin e paqes, as për legjitimitetin e presidentit ukrainas, Volodimir Zelensky.

“Biseda telefonike mes Putinit dhe Trumpit ishte konstruktive, profesionale dhe e hapur”, tha Peskov, duke shtuar se lideri rus do të mirëpriste me kënaqësi udhëheqësit botërorë, përfshirë Trumpin, në festimet e Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj.

Kategoritë
BotaLajme