Putin pret nënat e ushtarëve rusë, u thotë se ndan dhimbjen me ta

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, takoi nënat e ushtarëve që luftojnë në Ukrainë, dhe u tha se i gjithë lidershipi rus ndan vuajtjet e tyre.

Dukshëm i vënë në siklet dhe vazhdimisht duke marrë frymë thellë dhe pastruar zërin, shefi i Kremlinit tha se ushtarët që janë pjesë e operacionit special janë të gjithë heronj.

“Për të gjitha ju që jeni këtu dhe ato që kanë humbur djalin e tyre, sigurisht që kjo është një tragjedi. Lidhur me këtë, më lejoni të them, se është e pamundur për mua që të shpreh disa fraza formale për ngushëllimet e mia, por dëshiroj që ju të dini se unë, personalisht, i gjithë lidershipi i vendit tonë, ndajmë dhimbjen tuaj.

Ne e kuptojmë që asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një fëmije, veçanërisht për një nënë, ndaj së cilës në jemi në borxh pasi e solli në këtë botë, e rriti dhe e ushqeu. Dëshiroj që ju të dini se ne e ndajmë dhimbjen tuaj, shkruan a2news.

Sigurisht ne do të bëjmë gjithçka që ju të mos ndiheni të harruara. Është e qartë se jeta është më e ndërlikuar dhe më e larmishme sesa ajo që ata tregojnë në TV apo edhe në internet – nuk mund t’i besoni asgjë që shihni atje. Ka një sasi falsifikimesh, mashtrimesh dhe gënjeshtrash. Ka shumë sulme informacioni, sepse në botën moderne… ka qenë gjithmonë kështu, por me teknologjitë moderne, është bërë veçanërisht e rëndësishme dhe efektive. Informacioni është gjithashtu një armë dhe këto sulmet janë një mënyrë efektive për të luftuar”, tha Putin.

Kategoritë
BotaLajme