Putin: Rusia do të analizojë propozimet për ndalimin e sulmeve në infrastrukturën civile

“Sa i përket propozimit për të mos goditur objektet e infrastrukturës civile, kjo duhet të zgjidhet”, tha presidenti rus

Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se vendi i tij do të analizojë propozimet për një moratorium midis Moskës dhe Kievit për sulmet kundër infrastrukturës civile në vendet e njëri-tjetrit, transmeton Anadolu.

“Sa i përket propozimit për të mos goditur objektet e infrastrukturës civile, kjo duhet të zgjidhet”, u tha Putin gazetarëve në Moskë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy propozoi të dielën ndalimin e sulmeve në infrastrukturën civile për një periudhë prej të paktën 30 ditësh, me mundësinë e një zgjatjeje.

“Nëse Rusia nuk pajtohet me një hap të tillë, kjo do të jetë provë se ajo synon të vazhdojë të bëjë vetëm ato gjëra që shkatërrojnë jetë njerëzore dhe zgjasin luftën”, tha Zelenskyy në X.

Armëpushimi 30-orësh i Putinit për Pashkët, i cili filloi të shtunën në orën 18:00, skadoi mesnatën e së hënës pa zgjatje.

Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të Pashkëve.

Kategoritë
BotaLajme