Putin: Rusia do të ndalë eksportet e gazit nëse pagesat nuk bëhen në rubla

“Për të blerë gaz natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të paguhet gazi duke filluar nga 1 prilli”, tha presidenti rus

Rusia do të ndalojë furnizimin me gaz për blerësit nga “shtetet jomiqësore” nëse nuk kalojnë në pagesa në rubla që nga 1 prilli, tha presidenti Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim me zyrtarë qeveritarë në Moskë, Putin tha se ai nënshkroi një dekret që përcakton rregullat për tregtimin e gazit natyror rus me ato vende.

“Për të blerë gaz natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të paguhet gazi duke filluar nga 1 prilli”, tha ai.

Nëse refuzojnë të paguajnë në rubla, Rusia do ta konsiderojë këtë si shkelje të kontratave të gazit dhe do të ndalojë dërgesat, shtoi Putin.

“Askush nuk na shet asgjë falas, dhe ne nuk do të bëjmë as punë bamirësie, domethënë do të ndërpriten kontratat ekzistuese”, paralajmëroi ai.

Putin tha se ky është një vendim i pavullnetshëm i marrë sepse Perëndimi përdor sistemin e tij financiar si një armë kundër Rusisë dhe refuzon të përmbushë kontratat me bankat, ndërmarrjet dhe individët rusë.

Duke ngrirë asetet e Rusisë në dollarë dhe euro, Perëndimi në thelb kapi pagesat për dërgesat e karburantit dhe e mori atë falas, tha ai.

“Ne kemi furnizuar konsumatorët evropianë me burimet tona, në këtë rast me gaz. Ata e kanë marrë, na kanë paguar në euro, të cilat më pas i kanë ngrirë vetë. Në këtë drejtim, ka të gjitha arsyet për të besuar se ne kemi dorëzuar një pjesë të gazit të furnizuar në Evropë pa pagesë”, tha ai.

Pagesat e reja në dollarë dhe euro mund të ngrihen gjithashtu, gjë që e bën të pamundur për Rusinë përdorimin e këtyre monedhave, shtoi ai.

“Rreziqet e gjendjes aktuale të punëve janë, natyrisht, të papranueshme për ne”, theksoi Putin.

Ai tha se ndryshimi i pagesave për burimet natyrore është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sovranitetit financiar dhe ekonomik të Rusisë.

Kategoritë
BotaLajme