Putin: Rusia nuk do të pengojë dërgesat e drithit nga Ukraina në Turqi

Kjo është për shkak të “neutralitetit” të Ankarasë, aftësive të industrisë së saj të përpunimit të drithit dhe përpjekjeve të presidentit turk që synojnë të garantojnë interesat e vendeve më të varfra, tha presidenti rus

Moska nuk do të pengojë furnizimet me grurë nga Ukraina drejt Türkiye-s në të ardhmen për shkak të “neutralitetit” të Ankarasë, aftësive të industrisë së saj të përpunimit të drithit dhe përpjekjeve të presidentit turk që synojnë të garantojnë interesat e vendeve më të varfra, tha presidenti rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk do të pengojmë në të ardhmen, në asnjë rast, furnizimin me drithë nga territori i Ukrainës drejt Republikës së Türkiye-s, (duke marrë parasysh) neutralitetin e Türkiye-s në konflikt në tërësi … mundësitë e industrisë së përpunimit të drithit të Republikës së Türkiye-s dhe përpjekjet e presidentit (Recep Tayyip) Erdoğan që synojnë të garantojnë interesat e vendeve më të varfra”, tha ai.

Ai tha se Moska rezervon të drejtën të tërhiqet nga marrëveshja e drithit me Ukrainën nëse Kievi shkel garancitë se korridori humanitar nuk do të përdoret për qëllime ushtarake.

“Unë i kam dhënë udhëzime Ministrisë së Mbrojtjes që të rifillojë pjesëmarrjen tonë të plotë (në marrëveshje). Në të njëjtën kohë, Rusia rezervon të drejtën të tërhiqet nga këto marrëveshje nëse këto garanci shkelen nga Ukraina”, tha Putin në një takim të Këshillit rus të Sigurisë në Moskë.

Putin vuri në dukje se rifillimi i marrëveshjes së grurit u arrit për shkak të përpjekjeve ndërmjetësuese të Türkiye-s.

Ai shtoi se edhe nëse Rusia tërhiqet nga marrëveshja e drithit, ajo është e gatshme të furnizojë falas ushqim për “vendet më të varfra”.

“Në çdo rast, edhe nëse Rusia tërhiqet nga kjo marrëveshje, ne … do të jemi gati të dorëzojmë gjithë vëllimin e drithit që u dërgua nga territori i Ukrainës në vendet më të varfra”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme