Presidenti rus, Putin beson se Izraeli është “përfituesi kryesor” i ngjarjeve që po zhvillohen në Siri.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se Izraeli po dërgon më shumë trupa në Siri dhe se Tel Avivi synon të forcojë praninë e tij në vendin e shkatërruar nga lufta, por theksoi se ai shpreson që Izraeli “një ditë” të largohet, raporton Anadolu.
“Ne shpresojmë se Izraeli do të largohet nga Siria një ditë, por tani po sjell trupa shtesë atje. Kam përshtypjen se jo vetëm që nuk do të largohen, por do të përforcojnë forcat e tyre atje”, tha Putin në përgjigje të një pyetjeje nga Anadolu gjatë konferencës së tij vjetore për media në Moskë.
“Rusia kritikon pushtimin e çdo territori sirian”, tha Putin duke i dënuar gjithashtu veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës.
Ai beson se Izraeli është “përfituesi kryesor” i ngjarjeve që po zhvillohen në Siri.
Putin tha se ai është në kontakt “të vazhdueshëm” me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se megjithëse nuk i kujtohet se kur u zhvillua biseda e tyre e fundit, ata diskutuan për situatën në Lindjen e Mesme.
Putin më tej tha se qëndrimi i presidentit Erdoğan ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme është i njohur për të gjithë, siç është edhe qëndrimi i Rusisë, e cila beson se çështja palestineze mund të zgjidhet vetëm “duke hequr shkaqet e shfaqjes së saj”.
“Izraeli është krijuar. Palestina në fakt nuk është krijuar deri më sot. Ky është i gjithë problemi”, potencoi Putin duke kujtuar vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuara për këtë çështje.