Putin shpreh gatishmërinë për të ndihmuar në tejkalimin e krizës globale të ushqimit

“Vladimir Putin theksoi se Federata Ruse është e gatshme të japë kontribut të rëndësishëm në tejkalimin e krizës ushqimore përmes eksportit të drithit dhe plehrave, me kusht që të hiqen kufizimet e motivuara politikisht nga Perëndimi”

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë sot se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë në tejkalimin e krizës globale të sigurisë ushqimore nëse hiqen sanksionet perëndimore të vendosura për shkak të luftës së saj me Ukrainën, njoftoi Kremlini në një deklaratë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vladimir Putin theksoi se Federata Ruse është e gatshme të japë kontribut të rëndësishëm në tejkalimin e krizës ushqimore përmes eksportit të drithit dhe plehrave, me kusht që të hiqen kufizimet e motivuara politikisht nga Perëndimi”, ka thënë Putin në një bisedë telefonike me kryeministrin italian Mario Draghi.

Udhëheqësi rus ka thënë se zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë sepse Rusia është shkëputur nga logjistika dhe sistemet financiare globale nga SHBA-ja dhe BE-ja, duke e bërë të pamundur për Rusinë transportin e ushqimit, plehrave dhe kryerjen e transaksioneve financiare relevante.

“Kur u diskutua për çështjet e sigurisë energjetike, pala ruse konfirmoi synimin e saj për të vazhduar të sigurojë furnizime të pandërprera të gazit natyror në Itali me çmimet e fiksuara në kontrata”, thuhet në deklaratë.

Putin dhe Draghi kanë folur edhe për situatën në Ukrainë, ndërsa presidenti rus e ka informuar kryeministrin italian për hapat që po ndërmerr Rusia për të rikthyer jetën “në territoret e çliruara”.

Perëndimi ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë pas luftës së saj kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Përveç viktimave dhe eksodit të miliona njerëzve që kërkojnë siguri në vende të tjera evropiane, lufta ka shkaktuar probleme në zinxhirët e furnizimit me ushqim në botë pasi të dy vendet janë eksportuesit kryesorë globalë të grurit, vajit esencial të përdorur të gatimit, misrit dhe plehut mineral.

Kategoritë
BotaLajme