Putin sulmin me dron të Ukrainës në Moskë e quan “shenjë të qartë të aktivitetit terrorist”

Putin tha se “regjimi i Kievit zgjodhi rrugë tjetër, rrugën e përpjekjeve për të frikësuar Rusinë, për të frikësuar qytetarët rusë dhe sulmon ndërtesat e banimit”

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se sulmi me dron i Ukrainës në një ndërtesë banimi në Moskë është një “shenjë e qartë e aktivitetit terrorist”, transmeton Anadolu.

Duke komentuar sulmin gjatë një vizite në një qendër kulturore në Moskë, Putin tha se “regjimi i Kievit zgjodhi rrugë tjetër, rrugën e përpjekjeve për të frikësuar Rusinë, për të frikësuar qytetarët rusë dhe sulmon ndërtesat e banimit”.

“Kjo sigurisht është një shenjë e qartë e aktivitetit terrorist”, theksoi Putin.

Presidenti rus e vlerësoi si “të kënaqshëm” punën në sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, duke shtuar se ushtria ruse probleme të ngjashme ka përjetuar edhe në bazën ajrore Khmeimim në Siri.

“Në përgjithësi është e qartë se çfarë duhet bërë për të forcuar mbrojtjen ajrore të kryeqytetit dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha ai.

Putin shtoi se qytetarët ukrainasë duhet ta kuptojnë se çfarë kërkon udhëheqja aktuale e këtij vendi me “përpjekjet për të çrregulluar punën në termocentralin bërthamor në Zaporizzhia” ose planet për të përdorur disa pajisje, të prodhuara me përdorimin e materialeve bërthamore.

“Nuk është as ajo (mbrojtja ajrore e Moskës) që më shqetëson aq shumë sa përpjekjet për të provokuar një përgjigje nga Rusia. Me sa duket, ai (sulmi me dron) është krijuar për këtë. Ata na provokojnë të pasqyrojmë veprimet e tyre. Do të shohim çfarë të bëjmë për këtë”, tha ai.

Sot më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se tetë dronë ukrainasë morën pjesë në sulm dhe të gjithë u shkatërruan.

Kategoritë
BotaLajme