Putin: Ukraina përmes Turqisë dy herë iu afrua Rusisë në lidhje me bisedimet e paqes

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pohuar se Ukraina dy herë i është afruar Rusisë me propozime të paqes, të ndërmjetësuara nga Türkiye, vetëm për të braktisur iniciativat e saj menjëherë pastaj, transmeton Anadolu.

Në një intervistë me kanalin rus ‘Rossiya 1’, presidenti Putin kërkoi nga Kievi të qartësojë qëndrimin e tij për bisedimet e paqes.

“Partnerët tanë turq… na janë afruar me ato që ata i përshkruan si iniciativa nga pala ukrainase. Por sa herë që ne ramë dakord, ukrainasit tashmë e kishin tërhequr propozimin e tyre. Kjo ka ndodhur dy herë. Në fund të fundit, ne kemi nevojë për qartësi për gatishmërinë dhe synimet e tyre”, tha Putin.

Në margjinat e samitit të bllokut ekonomik BRICS në qytetin rus Kazan, theksoi Putin, përfaqësuesit turq i kishin dhënë “materiale të lidhura me Ukrainën”, për të cilat ai tha se kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm dhe se ai ende nuk ka pasur mundësi t’i shqyrtojë ato tërësisht.

Megjithatë, presidenti rus theksoi se çdo marrëveshje duhet të marrë parasysh dhe të respektojë interesat e Rusisë.

Rusia filloi “operacionin special ushtarak” në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke deklaruar se duhet të ndihmojë dhe mbrojë rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk që po luftonin kundër Kievit që nga viti 2014.

Derisa disa vende, përfshirë Türkiyen, kanë vepruar si ndërmjetës për të lehtësuar diskutimet e mundshme të paqes, këto bisedime janë përballur me pengesa të konsiderueshme, shpesh duke ngecur ose duke u prishur tërësisht.

Türkiye ka qenë një lojtar kyç në përpjekjet e ndërmjetësimit, përfshirë gjatë negociatave fillestare të vitit 2022, të cilat rezultuan në marrëveshje për çështje kritike si eksportet e drithërave në Detin e Zi.

Por pavarësisht propozimeve të herëpashershme nga të dyja palët, bisedimet më të gjera të paqes kanë dështuar të përparojnë, kryesisht për shkak të kërkesave të papajtueshme dhe mos besimit mes palëve.

Kategoritë
BotaLajme