Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, po shqyrton mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje me SHBA-në për burimet minerare, Kremlini i ka ofruar administratës së Donald Trumpit një marrëveshje për burimet natyrore ruse.
Rusia beson se kompanitë amerikane të naftës mund të rikthehen në vend dhe, përveç kësaj, është e interesuar për projekte të përbashkëta me SHBA-në në Arktik, deklaroi drejtori i Fondit Rus për Investime të Drejtpërdrejta, Kiril Dmitrijev, përpara fillimit të negociatave në Arabinë Saudite.
Sipas Dmitrijevit, njëri nga tre delegatët e zgjedhur nga Vladimir Putin për takimin me amerikanët në Riad, Moska e konsideron rikthimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në si thelbësor, shkruan Moscow Times.
“Kompanitë e mëdha amerikane të naftës kanë pasur një ‘biznes shumë të suksesshëm’ në Rusi”, tha Dmitrijev. “Ne besojmë se ato do të rikthehen në një moment, sepse përse do të hiqnin dorë nga mundësia për të shfrytëzuar burimet natyrore ruse që Rusia u ka ofruar?”
“Gjithashtu duhet të realizojmë projekte të përbashkëta, përfshirë ato në Arktik dhe zona të tjera. Projektet e përbashkëta do të na ndihmojnë të jemi më të suksesshëm,” shtoi ai.
Sipas tij, kompanitë amerikane kanë humbur rreth 300 miliardë dollarë për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa administrata e Joe Biden “ka dërguar mesazhe të gabuara” për gjendjen e ekonomisë ruse.
Para pushtimit të Ukrainës, vetëm një kompani e madhe amerikane ishte aktive në shfrytëzimin e naftës në Rusi: Exxon Mobil, e cila zotëronte 30% të projektit “Sahalin-1”.
Pas vendosjes së sanksioneve, kompania njoftoi largimin nga projekti, por nuk arriti ta shesë aksionin e saj: fillimisht ishte planifikuar për vitin 2023, por Kremlini e shtyu afatin dy herë – hera e fundit deri në fund të vitit 2026.
Pas fillimit të luftës, kompanitë kryesore amerikane të shërbimeve të naftës – Halliburton, Schlumberger dhe Baker Hughes – njoftuan largimin nga Rusia. Këto kompani kishin ndihmuar në rikuperimin e prodhimit të naftës pas kolapsit të viteve të fundit të Bashkimit Sovjetik. Presidenti Vladimir Putin ka kërkuar që deri në vitin 2025, Rusia të zhvillojë teknologjitë e veta për shpime dhe kërkime të hidrokarbureve, me synimin që ato të përbëjnë 80% të përdorimit.
Megjithatë, në realitet, më shumë se gjysma e pajisjeve për frakturimin hidraulik – teknologjia që rrit prodhimin nga puset dhe lejon shfrytëzimin e naftës së vështirë për t’u arritur – ende importohet nga vendet e cilësuara si “armiqësore”.
Për disa segmente, si sistemet e kontrollit të shpimeve, varësia nga importi është e plotë dhe arrin 100%, sipas analizës së ekspertëve të kompanisë “Jakov dhe partnerët”.
Qeveria e Federatës Ruse, në Strategjinë për Zhvillimin e Bazës Minerale deri në vitin 2050, ka pranuar se varësia nga pajisjet e importuara në sektorin e nxjerrjes dhe kërkimeve mbetet e lartë. Dokumenti tregon se varësia arrin mbi 90% për pajisjet e shpimit, 50% për makineritë minerare dhe 30% për pajisjet gjeofizike për përdorim sipërfaqësor.