Putini lavdëroi amerikanët dhe porositi: Elitat perëndimore po minojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi të enjten se “nuk u konvenon të gjithëve” kontakti i fundit mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve, duke pohuar se ka përpjekje nga “elitat perëndimore” për të penguar këtë proces.

Duke folur në selinë e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në Moskë, me rastin e Ditës së Forcave për Operacione Speciale, Putin lavdëroi qasjen e administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndaj çështjeve globale, duke thënë: “Partnerët aktualë amerikanë tregojnë pragmatizëm dhe një qasje realiste, duke dalë përtej stereotipeve.”

Lideri rus theksoi se Moska është e gatshme për negociata paqësore për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, si dhe për kontakte më të gjera, përfshirë Evropën, mbi një sistem të përbashkët sigurie që do të merrte parasysh interesat e të gjitha palëve, përfshirë Rusinë.

Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë kur delegacionet amerikane dhe ruse kanë zhvilluar bisedime në Stamboll mbi mundësitë për të hequr pengesat në funksionimin e misioneve diplomatike.

Ai urdhëroi shërbimet e inteligjencës që të parandalojnë “përpjekjet e elitave perëndimore” për të penguar dialogun mes Moskës dhe Uashingtonit.

Gjithashtu, ai tha se aktiviteti i shërbimeve të inteligjencës së huaj në Rusi është rritur pas fillimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kategoritë
BotaLajme