Putini pretendon se inkursioni ukrainas në Rusi s’ka ndikuar në synimet e luftës së saj

Russian President Vladimir Putin attends a meeting with winners of the Leaders of Russia national management competition at the Kremlin in Moscow, Russia March 12, 2024. Sputnik/Sergei Savostyanov/Pool via REUTERS ATTENTION EDITORS - THIS IMAGE WAS PROVIDED BY A THIRD PARTY.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se inkursioni i ushtrisë ukrainase në tokën ruse nuk ka ndikuar në të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” të Moskës, një shprehje që Kremlini e përdor për ta përshkruar luftën e tij kundër Ukrainës.

Duke folur në Forumin e Euroazisë Lindore në qytetin rus Vlladivostok, Putini pretendoi se, duke dërguar trupa në rajonin Kursk të Rusisë, Ukraina i ka dobësuar forcat e veta në rajonin lindor të Donbasit, ku forcat ruse kanë carë përpara në ditët e fundit.

Synimi i armikut ishte të na zemëronte, të tallej, t’i zhvendoste trupat tona nga njëra anë në tjetrën, dhe ta ndalte ofensivën tonë në drejtime kyçe, para së gjithash në Donbas”, tha Putin.

“A ia doli armiku ta arrijë këtë? Jo, nuk arriti asgjë”, shtoi ai.

Putini pretendoi se forcat ruse “e stabilizuan gjendjen dhe filluan ta zmbrapsin dalëngadalë armikun nga territoret përgjatë kufirit”, ku forcat ukrainase u futën në territorin rus në fillim të gushtit.

Ky veprim e la Ukrainën pa mjete për “ta ndalur ofensivën tonë” në lindje të Ukrainës, tha Putin.

Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll më shumë se 1.200 kilometra katrorë të tokës ruse falë inkursionit befasues muajin e kaluar. Kjo është hera e parë prej Luftës së Dytë Botërore që ndodh një inkursion në tokën ruse.

Ndërkohë, forcat ruse kanë shënuar përparime të mëdha në përpjekjet e tyre për ta kapur qytetin strategjik të rajonit lindor të Ukrainës, Pokrovsk.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një intervistë për televizionin amerikan NBC këtë javë se synimi i inkursionit befasues në Kursk grumbullimi i trupave dhe i territorit rus për këmbime në të ardhmen, duke nënvizuar se Ukraina nuk ka nevojë për tokë ruse.

“Operacioni ynë ka për qëllim rikthimin e integritetit tonë territorial. Ne kapim trupa ruse për t’i zëvendësuar me ukrainase. Ne u themi atyre, e dini, ne duam kthimin e ushtarëve tanë në këmbim të ushtarëve rusë. E njëjta gjë vlen edhe për territoret. Ne nuk kemi nevojë për tokën e tyre”, tha Zelensky.

Në të kaluarën, Putini e ka quajtur “provokim” inkursionin ukrainas dhe ka thënë se nuk i ka lënë Rusisë arsye për të biseduar me Kievin.

“Çfarë ka mbetur për të biseduar me ata tani”, kishte thënë ai.

Por, më 5 shtator ai u tërhoq nga ky qëndrim duke thënë se “ne kurrë nuk kemi refuzuar të bisedojmë”.

Megjithatë, Putin tha se në bisedimet për paqe duhet patjetër të merren parasysh kushtet e kamotshme të Rusisë, se pjesë të okupuara të Ukrainës nga trupat ruse duhet të mbesin nën kontrollin e Moskës.

Rusia i ka uzurpuar pjesë të rajoneve ukrainase Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson, ndërsa në shtator 2022 ajo i aneksoi ato plotësisht në mënyrë të jashtëligjshme.

Kombet e Bashkuara vazhdojnë t’i njohin këto rajone si pjesë të Ukrainës.

Ukraina vazhdimisht ka kërkuar që t’i kthehen territoret e okupuara nga Rusia, përfshirë edhe Gadishulli i Krimesë, i aneksuar nga Moska më 2014.

Kategoritë
BotaLajme