“Putini tani ka kapacitetin për të sulmuar Ukrainën, por ende nuk e ka marrë këtë vendim”

Grumbullimi i mbi 100.000 trupave të Putinit pranë Ukrainës “i jep atij disa opsione”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, duke theksuar më tej se “nuk ka arsye që kjo situatë të kalojë në konflikt”

Presidenti rus Vladimir Putin tani ka zhvilluar “qartësisht” kapacitetin për të sulmuar Ukrainën, vlerësojnë zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane, duke thënë se ai ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për një pushtim të mundshëm të ish-republikës sovjetike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, mbajti një konferencë të përbashkët për media me Shefin e Shtatmadhorisë, Mark Milley, në të cilën thanë se shtrirja e grumbullimit ushtarak të Rusisë është e paprecedentë në historinë moderne, por pohuan se konflikti nuk është i pashmangshëm.

Megjithatë, grumbullimi i mbi 100.000 trupave të Putinit pranë Ukrainës “i jep atij disa opsione”, tha Austin, duke thënë më tej se “nuk ka arsye që kjo situatë të kalojë në konflikt”.

“Ajo që ai ka bërë ndërsa ka vazhduar të lëvizë trupa dhe mjete në rajon është të rrisë opsionet e tij”, tha shefi i mbrojtjes, duke shtuar: “Ne nuk do të parashikojmë se ku do ta çojnë atë vendimet e tij, por ne mbetemi të shqetësuar për gamën e opsioneve që ai mund të ndjekë”.

Duke komentuar vëllimin e madh të grumbullimit rus, Milley tha se është “më i madh në shkallë dhe shtrirje në masën e forcave se çdo gjë që kemi parë në kohën e fundit”. Ai u shpreh se çdo krahasim duhet të datojë që nga Lufta e Ftohtë.

“Duke pasur parasysh llojin e forcave që janë grumbulluar, forcat e manovrimit tokësor, artilerinë, raketat balistike, forcat ajrore, të gjitha të grumbulluara së bashku, nëse do të lëshoheshin në Ukrainë do të ishte domethënëse, shumë domethënëse”, tha Shefin e Shtatmadhorisë, Mark Milley.

“Do të rezultonte në një sasi të konsiderueshme viktimash, dhe ju mund ta imagjinoni se si do të dukej në zona të dendura urbane, përgjatë rrugëve, e kështu me radhë. Do të ishte e tmerrshme dhe kjo nuk është e nevojshme”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme