Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në vendimet e fundit të marra, ka gjobitur me 49 mijë euro subjektet politike. Më së shumti gjoba PZAP-ja ka shqiptuar për Lëvizjen Vetëvendosje me 39 mijë e 500 euro, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës me 9 mijë e 500 euro.
Gjoba më e larta për VV-në ka qenë ajo prej 10 mijë euro për deklaratën e bashkëkryetares së “GUXO” ndaj kandidatit për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas ankesës të bërë nga AAK-ja, gjatë fjalimit të Gërvallës në tubimin në Deçani, ajo e ka quajtur atë “generalë të vetëshpallur”, e më pas vazhdon duke thënë “prandaj unë mendoj që aq më pak meriton respekt kush sakrificën personale apo familjare e përdor për arsyetim për krim për korrupsion, për vrasje apo mashtrim”.
Si përgjigje ndaj ankesë së AAK-së, VV-ja thotë se deklarata “gjeneral i vetëshpallur” është në “kuadër të rregullave zgjedhore dhe në frymën e fushatës zgjedhore”. Por, paneli pasi rishikoi të gjitha shkresat e lëndës, ankesën e AAK-së e konstatoi të bazuar dhe se kandidatja për deputete Donika Gërvalla Schwarz ka përdorur gjuhë nxitëse dhe urrejtëse.
“Sipas Panelit nga përmbajtja e deklaratës së kandidates për deputete nga radhët e listës Guxo Donika Gërvalla Schwartz, konsiderohet gjuhë nxitëse dhe urrejtëse kundrejt të tjerëve në kuadër të fushatës zgjedhore dhe se kjo konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore, konteksti dhe masa që i është drejtuar ka për qëllim të krijojë atmosferë tensioni ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe te përçarjes. Paneli vlerëson se partitë dhe kandidatët janë të detyruar të respektojnë etikën zgjedhore dhe të shmangin veprime që mund të sjellin pasiguri apo të përkeqësojnë atmosferën politike dhe ne përgjithësi atmosfere destabiliteti. Përdorimi i gjuhës së tillë mund të dëmtojë procesin demokratik dhe të rrisë tensionet në vend. Kjo është një shkelje e rregullave që kërkojnë një fushatë paqësore, të ndershme dhe të drejtpërdrejtë”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Një tjetër gjobë ishte edhe për gjuhën e kandidates për deputete Albulena Haxhiu, ku kjo e fundit gjatë një fjalimi të mbajtur në Komunën e Vitisë, i drejtohet turmës “kundërshtarët tanë janë bërë bashkë, pra klanet e krimit dhe korrupsionit janë bërë bashkë”.
Parashtruesi i ankesës, Partia Demokratike e Kosovës, si provë ka bashkëngjitur edhe një CD.
“Parashtruesi i ankesës vlerëson se në veprimet e znj. Albulena Haxhiu janë konsumuar të gjitha elementet e veprimit të ndaluar, të përcaktuar në ka bërë shkelje të nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11, të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Parashtruesi i ankesës si provë, që dëshmon shkeljen e pretenduar ka bashkangjitur CD-në”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e PDK-së.
Në përgjigjen e VV-së, thuhet se ankesa e PDK-së është e paqëndrueshme, pasi aty nuk theksohet subjekti politik.
Paneli e vlerësoi si të bazuar ankesën e PDK-së, duke gjobitur Albulena Haxhiun me 5 mijë e 500 euro.
Për pjesëmarrje të fëmijëve në fushatë, PZAP-ja ka gjobitur VV-në me 5500 euro, në dy raste të ndara, një 2 mijë e 500 euro dhe tjetri 3 mijë euro.
Në të dyja ankesat e parashtruara nga PDK-ja, kandidatet, Albulena Haxhiu dhe Mimoza Kusari, në rrjetetet e tyre në Facebook, kanë publikuar fotografi nga tubimet pjesëmarrëse ku vërehet prania e fëmijëve në to.
“Në ankesë pretendohet se kandidatja që ka bërë publikimin e fotografive është me profesion juriste, ministre aktuale ně Ministrin e Drejtësisë dhe se e njëjta ka qenë në dijeni të plot që këto veprime janë rreptësishtë të ndaluar dhe se veprimet e tilla përbëjnë shkelje të drejtave elementare të fëmijëve, të cilat janë të përcaktuara me të drejtat dhe Konventat Evropiane dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Po ashtu theksojnë se ky postim është ende aktiv në profilin e kandidates në fjalë”, thuhet në ankesën e parashtruar të PDK-së në PZAP-së.
Paneli ka gjetur se këto veprime janë në kundërshtim me dispozitat ligjore te nenin 5, par. 3 të Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, me të cilën përcaktohet se “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatë zgjedhore”.
Për pengim dhe tentim pengim të gazetarëve, Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur nga PZAP-ja me 8 mijë euro, në dy raste të ndara. Më 26 janar AAK ka parashtruar ankesë ndaj VV-së, pasi në tubimin e mbajtur në Malishevë në Palestrën e Sportit “janë penguar gazetarët në kryerjen e detyrave të tyre personale”.
“Parashtruesi i ankesës ka theksuar se gjatë këtij Pedo lloj materiali tjetër që incidenti, zyrtarë të VV-së i janë drejtuar me pyetjet “Çka keni lyp me ardh këtu?, madje gazetares i kanë thënë “Ju jeni ma zi se të Serbisë” dhe për t’ia pamundësuar prezencën e tyre në fushatë, ata i kanë kërkuar dhe leje specifike, veprim totalisht i kundërligjshëm”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e AAK-së.
VV-ja ka kërkuar nga PZAP-ja që ta hedhë poshtë ankesën, pasi në përgjigjen e tyre thuhet se “mbështetet në fakte vetëm tekstualisht” dhe se “kanë dështuar në dëshmi bindëse dhe fakte”.
Pas shikimit të shkresës së lëndës, PZAP-ja ka konstatuar se VV-ja ka shkelur nenin 34, paragrafi 1.5 të Ligjit të Zgjedhjeve, ku gjatë periudhës së fushatës, ndalohet pengimi apo tentim pengimi i gazetarëve, duke e gjobitur atë me 5 mijë e 500 euro.
“Paneli, pas shikimit të shkresave të lëndës dhe video incizimit të ofruar si dëshmi ka vërtetuar se subjektit politik LVV, me datën 25.01.2025 në ora 18:00 ka mbajtur fushatën zgjedhore në qytetin e Malishevës, përkatësisht në Palestrën e Sportit, dhe gjatë mbajtjes së tubimit mbështetësit përkatësisht organizatoret e këtij subjekti në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kanë penguar gazetarët në kryerjen e detyrave të tyre profesionale, me ç’rast gjatë pengimit të tyre subjekti politik LVV ka shkelur nenin 34, paragrafi 1.5 të LZP-së i cili përcakton se: Gjatë periudhës se fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij, ndalohen nga pengimi ose tentimi për pengimin e gazetarëve për të përmbushur detyrat e tyre profesionale”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Gjoba e dytë, po për pengim të gazetarëve, në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove, erdhi pas ankesës së PDK-së për një tubim të mbajtur të VV-së në Sallën e sportit në Komunën e Klinës.
“Parashtruesi i ankesës ka theksuar se aktivisti dhe organizatori i tubimit, nga subjekti politik LVV, gjatë këtij incidenti i është drejtuar gazetarëve me fjalët “Po fluturoni prej këtuhit”, madje e kanë penguar punën e gazetarve ne përmbushjen e detyrave të tyre profesionale gjatë gjirimit të kësaj situate nga kamermani si dhe i njejti ia rrëmben telefonin kameramanit nga dora”, thuhet në arsyetimin e PDK-së, duke theksuar se “një ngjarje e tillë paraqet shkelje të rëndë të rregullave zgjedhore”.
Poashtu, PDK si dëshmi ka bashkëngjitur edhe një CD nga ky tubim i mbajtur në Klinë.
Si përgjigje ndaj ankesës, ashtu si në ankesën paraprake për punën e gazetarëve, VV-ja sërish ka deklaruar se kjo ankesë mbështetet vetëm tekstualisht dhe se s’ka fakte e dëshmi bindëse.
Dy gjoba nga 5 mijë e 500 euro për VV-në, e të parashtruara të dyja nga PDK-ja, një për këshilltarin e Kryetarit të Kuvendit, Feim Tahirsylaj si dhe për kandidatin për deputet, Haxhi Avdyli. Sipas ankesës së PDK-së, Tahirsylaj ka publikuar një video në Facebook me tekst shoqëruar ku sulmon opozitën.
“Me datë 27.01.2025 PZAP-i ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me të cilën pretendon se më datë 26.01.2025 në ora 15:30 mbështetësi i subjektit politik LVV gjegjësisht këshilltari i kryetarit te Kuvendit te Kosovës Feim Tahir Sylaj ne postimin e tij facebook ka publikuar postimin ka publikuar një video në profilin e tij në rrjetin social Facebook, me tekst shoqërues “Këto janë njëzëshëm “prioritetet” e klubit të stërvjetëruar politik pdk, ldk,aak lista serbe (PI-AS). Rikthimi i tyre në pushtet do të ishte katastrofë për Kosovën dhe fitore vendimtare për Serbinë gjenocidale prandaj mos lejoni zhbërjen e Republikës, Për hir të gjakut të derdhur rrënë për liri dhe pavarësi, votoni masovikivisht kundër Serbisë. Parashtruesi ankesës thekson se kjo është gjuhë e cila përmban nxitje, urrejtje, ofendim, denigrim dhe njëherë shprehë ngjyrime përçmuese ose nënvlerësuese për partitë kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje, ku të njëjtëve i referohet si “klub i stërvjetruar politik”, “Rikthimi i tyre në pushtet do të ishte katastrofë për Kosovën dhe fitore vendimtare për Serbinë gjenocidale””, thuhet në arsyetimin e PDK-së në ankesën parashtruar, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Si përgjigje ndaj ankesës së parashtruar, VV-ja ka thënë se gjuha e përdorur ka pasur për qëllim të sqaroj koalicionet zgjedhore, dhe se postimi në fjalë nuk ekziston më, duke kërkuar që ta refuzojnë ankesë, gjë që PZAP e ka hedhur poshtë, dhe e ka konstatuar si të bazuar, dhe subjekti politik VV obligohet që brenda 15 ditësh të gjobën prej 5 mijë e 500 eurove.
Në rastin e kandidatit për deputet, Haxhi Avdyli, në ankesën e parashtruar nga PDK-ja thuhet se përmes një postimi të bërë në Facebook, ai ka përdorur gjuhë nxitëse dhe urrejtëse.
“Me datë 27.01.2025 PZAP-i, ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me të cilën pretendon se kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) z.Haxhi Abdyli ka publikuar në rrjetin social facebook e cila vazhdon të jetë e pranishme në profilin e tij ku i njëjti, kësaj video i ka bashkangjitur tekstin shoqërues, duke përdorur gjuhë urrejtëse dhe nxitëse kundrejt partive kundërshtare. Më tutje në ankesë është theksuar, konkretisht i njëjti në këtë tekst shoqërues shkruan “Malisheva cep më cep me #qeverinëkurti3, për vazhdimin e punëve të mira për vendin, #skakthimprapa për ata që degraduan çdo gjë, e që nuk i japin shpresë këtij vendi. #AlbinKurti mbetet opsioni i vetëm për Kryeministër për 4 vitet e ardhshme. Faleminderit Malishevë që guximshëm VVendosët për #VVGUXOALTERNATIVA. #haxhiabdyli21″ dhe se i njëjti ka bërë shkelje të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, respektivisht nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11”, thuhet në arsyetimin e PDK-së, e që si përgjigje VV thotë se postimi në fjalë nuk ka pasur për qëllim gjuhën nxitëse dhe urrejtëse.
Sipas panelit është konstatuar e bazuar ankesa e PDK-së, pasi paraqitje e tesktit në postimin e bërë dhe gjuha e till e përdorur konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore, pasi mund të dëmtohet procesi dhe të rriten tensionet.
“Sipas Panelit paraqitja e tekstit shoqërues nga ana e kandidatit të një foto, përkatësisht një tekst shoqërues subjektit politik LVV, në të cilën përdorë gjuhë te tille kundrejt partive kundërshtare në kuadër të fushatës zgjedhore, konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore ka për qëllim të krijojë polarizim te elektoratit ose të krijoj atmosferë tensioni dhe përçarjeje. Paneli vlerëson se partitë dhe kandidatët janë të detyruar të respektojnë etikën zgjedhore dhe të shmangin veprime që mund të sjellin pasiguri apo të përkeqësojnë atmosferën politike. Përdorimi i gjuhës së tillë mund të dëmtojë procesin demokratik dhe të rrisë tensionet në vend. Kjo është një shkelje e rregullave që kërkojnë një fushatë paqësore, të ndershme dhe të drejtpërdrejtë”, thuhet në vendim.
LDK-ja është gjobitur me 5 mijë e 500 euro, pasi në ankesën e parashtruar nga VV-ja thuhet se aktivistë të saj, në komunën e Pejës, në hapësirat e Palestrës Sportive “Karragaçi” kanë vënë re postë të kandidatit për deputet, Arben Gashi.
Në përgjigjen e ankesës thuhet se posteri ka qenë i lejuar të vendoset në ditën e tubimit me 26 janar, por që PZAP-ja e ka konstatuar të bazuar ankesën e VV-së.
Po për vendosjen e posterëve dhe banerëve në hapësirat publike, saktësisht në stacionin e “Trafikut Urban” në rrugën “Xheladin Hana” të disa kandidatëve për deputet nga radhët e LDK-së, si dhe kandidatit të saj për kryeministër ,Lumir Abdixhiku, VV ka parashtruar ankesë në PZAP. Kjo e fundit ka gjobitur edhe në këtë rast të dytë LDK-në me 5 mijë e 500 euro.
Në përgjigjen e ankesës, LDK thotë se ka kontratë me kompaninë që ka të drejtën për ato hapësira, por paneli ka gjetur se kompania në fjalë të ketë lidhje me kontratë me Komunën e Prishtinës për shfrytëzimin e këtyre hapësirave reklamuese, duke e vlerësuar si të bazuar ankesën e VV-së.
/Reporteri.net.