PZAP refuzon ankesat e kandidatit për deputet për votat që tha se mund ta lënë jashtë Kuvendit: Pretendime të pabazuara, s’qëndrojnë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka refuzuar dy ankesa të Petrit Hajdarit, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili është ankuar për disa parregullsi gjatë votimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Drenas.

Ai ka thënë se është dëmtuar “për një numër të caktuar votash”, gjë që tha se “mund të jetë vendimtare” që ai të mbetet jashtë Kuvendit.

PZAP vendosi sot se ankesat e Hajdarit janë “të pabazuara”.

“Pretendimet e parashtruara në ankesa nga kandidati për deputet Petrit Hajdari nga radhët e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën pretendon se gjatë procesit të votimit është dëmtuar për një numër të caktuar të votave në dy vendvotime dhe atë në vendvotimin me nr.0316/02 në Komunën e Drenasit dhe vendvotimin nr.2066/02 në Komunën e Prizrenit, Paneli i vlerësoi si të pa bazuara, pasi që nga provat e ofruara nga ana e parashtruesit të ankesës nuk janë vërtetuar këto pretendime”, thuhet në vendim.

Disa deklarata të votuesve që Hajdari i ka ofruar si prova për t’i mbështetur pretendimet e tij, PZAP tha se “nuk mund të merren si prova të bazuara”.

“Për më tepër sipas vlerësimit e Panelit, marrja e deklaratave të tilla e cenon procesin e votimit dhe të drejtën e fshehtësisë së votës të paraparë sipas dispozitave ligjore”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Edhe pretendimet në ankesën tjetër të paraqitur nga Hajdari, për PZAP-në “nuk qëndrojnë”. Paneli tha se ai “nuk ka ofruar dëshmi të qarta dhe bindëse lidhur me shkeljet e supozuara përveç një prove të bashkangjitur në ankesë në librin e shënimeve, ku vërehet që janë evidentuar disa vërejtje gjatë numërimit të subjekteve politike dhe për kandidatin në fjalë, mirëpo të njëjtin dokument i mungon pjesa e ballinës së Librit të votimit me numrin e vendvotimit, anëtarët ekipit të numërimit, momenti i hapjes së procesit të votimit dhe mbyllja”.

“Po ashtu të njëjtit dokument i mungon data e evidentimit te shkeljeve te pretenduara, emri i vëzhguesit si dhe cilit subjekt i takon e njëjta. Megjithatë, kjo mungesë e specifikimit nuk përbën ndonjë provë që dëshmon parregullsi. Formulari i rezultateve të subjekteve politike, i hartuar nga ekipet e numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN), nuk tregon qartë për cilin vendvotim është përpiluar. Paneli vlerëson se pretendimet e njëjta lidhur me këto parregullsi janë trajtuar edhe me ankesën A.nr.592/2025 të datës 18.02.2025”, thuhet në vendim.

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Petrit Hajdari ka marrë 16,733 vota.

Kategoritë
LajmeVendi