Qalaj për marrjen e revoles së policit nga Lushtaku: Kush je ti që ia merr armën policit?

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka komentuar rastin e marrjes së revoles së policit në një incident në Skenderaj ku ishte i përfshirë edhe ish-nënkryetari i komunës, Nuredin Lushtaku.

Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policor, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetari i Skenderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici. Qalaj ka thënë se kjo është e neveritshme dhe se askush nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë.

“Është e neveritshme. Ka mundur të ndodhë ndonjë gabim nga polici. Por kush je ti që ia merr armën policit. Cdo respekt për të kaluarën e zotëri Lushtakut. Personalisht nuk e njoh. Por kush je ti ta bësh këtë veprim”, thotë Qalaj.

“Edhe në momentin kur është kërkuar. Është dashur të shkojë të dorëzohet në polici. Realisht si guxon të marrësh armën e huaj. Kërkoj falje, por kjo nuk duhet të ndodhë. Ka ndodhur në të kaluarën por tani nuk guxojnë të ndodhin më”, shtoi ai.

Ai tutje ka thënë se edhe gjyqësori nuk i mbron policët dhe se në rastet ku policët kanë qenë viktima, atëherë dënimet kanë qenë minimale.

“Shikoni rastet se si kanë përfunduar rastet në gjykatë kur polici ka qenë viktima. Mendoj se dënimet minimale i kanë marrë kryesit e veprave kundër policëve”, shtoi ai në emisionin Pressing në T7

Kategoritë
LajmeVendi