Eksporti gjerman i armëve në Izrael është shumë më i madh se çfarë ka synuar të paraqesë qeveria e këtij vendi. Shifrat e reja tregojnë se që nga gushti është miratuar eksporti me vlerë prej 94 milionë euro.
Javën e kaluar, Berlini njoftoi se kishte miratuar eksportin e armëve në Izrael në vlerë prej 45 milionë euro për të gjithë vitin.
Megjithatë, tani janë publikuar shifra të reja në përgjigje të një pyetjeje nga deputetja e Aleancës së Majtë Sahra Wagenknecht, raporton Euronews.
Qeveria gjermane ishte më parë e akuzuar për bllokimin e lejeve për eksportin e armëve në Izrael.
Partia më e madhe opozitare në vend, Bashkimi Kristian Demokrat (CDU), e akuzoi qeverinë se po bllokonte plotësisht kërkesat për eksportin e armëve nga kompanitë e prodhimit të armëve.
Kryetari i saj, Friedrich Merz, citoi shifra nga një pyetje e mëparshme parlamentare që tregonin se dërgesat me vlerë vetëm 14 milionë euro ishin miratuar nga janari deri në mes të gushtit, një rënie e ndjeshme krahasuar me 326 milionë euro vitin e kaluar.
Raportet mediatike të bazuara në shifrat e mëparshme tregojnë se qeveria nuk ka miratuar asnjë leje për eksportin e armëve në Izrael midis marsit dhe shtatorit.
Kancelari gjerman Olaf Scholz e mohoi kategorikisht që koalicioni i tij qeverisës të kishte ndaluar miratimin e eksportit të armëve në Izrael.
Berlini është përballur me çështje ligjore për shkak të vazhdimit të furnizimit me armë të Izraelit.