Qeveria e Gazës dënon Kryqin e Kuq për standarde të dyfishta në dorëzimin e trupave të pengjeve

“Trupat e martirëve palestinezë dorëzohen në çanta blu dhe hidhen në kamionë, pa elementet më themelore të dinjitetit njerëzor”, tha drejtori i zyrës së mediave të qeverisë në Gaza, Al-Sawabite

Qeveria në Rripin e Gazës ka dënuar standardet e dyfishta të aplikuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në kthimin e trupave të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, transmeton Anadolu.

Drejtori i zyrës së mediave të qeverisë në Gaza, Ismail al-Sawabite në një deklaratë në llogarinë e tij në X tha se “Kryqi i Kuq mban ceremoni solemne kur merr trupat e të burgosurve izraelitë ndërsa trupat e martirëve palestinezë dorëzohen në çanta blu dhe hidhen në kamionë, pa elementet më themelore të dinjitetit njerëzor”.

Duke tërhequr vëmendjen për standardet e dyfishta të përjetuara këtu, Al-Sawabite tha: “Ky diskriminim i hapur në trajtim pasqyron standarde të dyfishta dhe zbulon paaftësinë e komunitetit ndërkombëtar për të garantuar drejtësi dhe për të qenë i drejtë!”.

Sot në mëngjes, Hamasi si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve i dorëzoi ekipeve të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar “trupat e katër pengjeve izraelite që humbën jetën në sulmin izraelit” në Rripin e Gazës.

Gjatë procesit të dorëzimit, çdo trup i pengjeve izraelite u vendos në arkivol të veçantë.

Kategoritë
BotaLajme