Qendra Përkujtimore Srebrenica-Potoçari, Monumenti dhe Varrezat për viktimat e gjenocidit të vitit 1995, do të marrë një milion euro nga Qeveria e Mbretërisë së Holandës. Këto fonde janë siguruar për të mbështetur vazhdimësinë e punës së qendrës në ruajtjen e kujtesës, përkujtimin e gjenocidit dhe promovimin e ndërtimit të paqes, dhe janë rezultat i propozimit të Komisionit të Kompensimit për Srebrenicën.
“Srebrenica do të mbetet gjithmonë një faqe e zezë në historinë e Holandës,” shkruan ministri i mbrojtjes Ruben Brekelmans dhe ministri i jashtëm Caspar Veldkamp në një letër drejtuar Dhomës së Ulët të Parlamentit Holandez. “Serbët e Bosnjës kryen gjenocid në vitin 1995 në enklavën myslimane, ndërsa helmetat blu holandeze ishin përgjegjëse për mbrojtjen e saj,” raportojnë mediat holandeze.
Familjet e boshnjakëve të vrarë që nga viti 2019 mund të paraqisnin kërkesa për kompensim përmes një komisioni të pavarur. Ky program tani ka përfunduar. Sipas ministrave, janë pranuar gjithsej 8135 kërkesa, nga të cilat 2374 janë miratuar. Gjithsej, janë paguar mbi 25 milionë euro për familjet e 612 viktimave. Komisioni i Kompensimit ka bërë thirrje për ndihmë nga qeveria për të mbështetur “kujdesin pasues për komunitetin më të gjerë të të mbijetuarve” për të ndihmuar procesin e ballafaqimit me gjenocidin.
Ky vendim është rezultat i përgatitjeve dhe bisedimeve të gjata mes Qeverisë së Holandës dhe familjeve të viktimave, shpjegon drejtori i Qendrës Përkujtimore, Emir Suljagiq.
“Ky vendim nuk është vetëm një shenjë njohjeje për misionin tonë, por edhe një angazhim për të punuar së bashku me komunitetin ndërkombëtar në ruajtjen e së vërtetës për gjenocidin në Srebrenicë,” deklaroi Suljagiq.
Një hap i rëndësishëm në këtë proces nisi zyrtarisht në vitin 2022, kur ish-ministrja e mbrojtjes e Qeverisë së Holandës, gjatë një fjalimi në Potoçari, tha:“Komuniteti ndërkombëtar dështoi në ofrimin e mbrojtjes së duhur. Si pjesë e atij komuniteti, qeveria e Holandës ndan përgjegjësinë për atë dështim. Për këtë arsye, ju ofrojmë ndjesat tona më të thella.”
Suljagiq theksoi rëndësinë e vazhdimit të ballafaqimit me të vërtetën dhe përgjegjësinë:“Ne kemi qëndruar të palëkundur ndaj fakteve. Kurrë nuk kemi heshtur për përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtar dhe të gjithë aktorëve kyç të korrikut 1995,” nënvizoi ai.
Gjatë muajve të fundit, Qendra Përkujtimore ka zhvilluar një sërë aktivitetesh bashkëpunimi programor me universitete dhe organizata në Holandë, duke demonstruar një përkushtim të qartë për vazhdimin e studimeve të përbashkëta mbi gjenocidin në Srebrenicë. Këto iniciativa përfshijnë projekte kërkimore, ekspozita dhe konferenca akademike që forcojnë lidhjet mes dy vendeve dhe rrisin ndërgjegjësimin për gjenocidin në një nivel ndërkombëtar.
“Mësimet nga Srebrenica sot janë më të rëndësishme se kurrë për botën e civilizuar. Gjenocidi ndaj boshnjakëve të Srebrenicës është pjesë e kujtesës kolektive evropiane dhe i përket faqeve të errëta të historisë së Evropës. Për këtë do të mësojnë brezat që vijnë, ashtu siç do të mësojnë edhe për luftën tonë për liri. Ne kemi ruajtur krenarinë dhe dinjitetin tonë, dhe çdo bashkëpunim që kemi arritur, e kemi arritur me kushtet tona. Ne jemi zotër të historisë sonë dhe kemi të drejtën të jemi zotër edhe të së ardhmes sonë,” përfundoi Suljagiq.