Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka mohuar çfarëdo sugjerimi “se lajmi rreth përfundimit të mandatit të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të ketë dalë nga qeveria e Republikës së Kosovës”.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha dje se raportimet e rreme se ai është shkarkuar nga pozita, dolën menjëherë pasi ai ia kishte komunikuar Qeverisë së Kosovës lajmin për tranzicionin që do të ndodhte.
Më 6 maj, Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Escobar do të marrë detyrë të re gjatë javëve të ardhshme.
“Dezinformimi që është prodhuar përgjatë vikendit nga një pseudo gazetar, që ka thënë se jam shkarkuar apo kam lidhje me qeverinë serbe. Dua të them direkt, që gjithçka në atë raportim është një gënjeshtër. Një gënjeshtër lehtë e verifikueshme. Para së gjithash, unë s’jam shkarkuar dhe çdo kush në Departamentin amerikan të Shtetit e ka verifikuar”, ka thënë Escobar gjatë një bisede me gazetarët.
“Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, tha Escobar.
Por, qeveria e Kosovës mohoi “çdo sugjerim” që lajmi të ketë rrjedhur prej saj.
“Ne e mohojmë çfarëdo sugjerimi se lajmi rreth përfundimit të mandatit të emisarit Escobar të ketë dalë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Escobar”, tha Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net.
Gjatë fundjavës, themeluesi i platformës pak të njohur digjitale ‘Frontliner’, Vedat Xhymshiti, shkroi se diplomati Escobar është larguar nga detyra për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione shtetërore serbe, respektivisht të bashkëshortes së Escobarit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë si dhe një kontrate ligjore ndërmjet Republikës Serbe dhe zyrës ligjore amerikane McGinnis Lochridge më 2019, ku sipas Xhymshitit partner është një familjar i zotit Escobar.
Duke hedhur poshtë raportimet, DASH-i bëri thirrje që “gazetarët të vërtetojnë faktet para se të përhapin thashetheme ofenduese dhe të pabaza”, që sipas Departamentit të Shtetit paraqesin kërcënim të jashtëzakonshëm për shoqëritë demokratike.