Qeveria e Kosovës ua mundëson serbëve që patentë shoferët ilegalë t’i zëvendësojnë me ata “RKS”

Kalimi në patentë shoferët e lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për rifitim të patentë shoferit.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Kosovës ka marrë vendimin që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare, të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se kalimi në patentë shoferët e lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për rifitim të patentë shoferit.

Gjithashtu bëhet e ditur se “kalimi në patentë shofer të RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve”.

Për të marrë patentë shoferin e Kosovës secili qytetar duhet të dorëzojë aplikim në Qendrën për Pajisje me dokumente, sipas njoftimit.

“Letërnjoftimin, origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës, dhe origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftim.

Vendimi thuhet se hyn në fuqi më 9 maj dhe është valid deri me datën 9 gusht 2024, ku me këtë rast, Zyra Kryeministrit u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që ta realizojnë të drejtën e tyre.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi