Qeveria e Kosovës zbaton sanksionet e ShBA-së kundër Grupit Wagner

Qeveria e Kosovës do t’i zbatojë sanksionet kundër grupit Wagner, të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e cila në janar e shpalli Wagner-in si “organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale”

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e saj për vendosjen e masave kufizuese kundër grupit rus të mercenarëve Wagner, transmeton Anadolu.

Siç u bë e ditur nga Qeveria e Kosovës, sipas ndryshimit dhe plotësimit, Qeveria e Kosovës do t’i zbatojë sanksionet kundër grupit Wagner të vendosura nga SHBA, e cila në janar e shpalli Wagner-in si “organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale”.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky grup mercenarësh, po “kërcënon dhe minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Ndërkaq, zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili prezantoi para kabinetit qeveritar këtë kërkesë, tha se pushtimi i Rusisë kundër Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022, “ka hasur në rezistencën e shtetit dhe popullit të Ukrainës”, por është dënuar nga shtetet demokratike.

“SHBA, përkatësisht Departamenti amerikan i Thesarit për kontrollin e pasurive të huaja më 26 janar të këtij viti ndërmori masa kufizuese ndaj grupit Wagner si një organizatë kriminale transnacionale, duke përfshirë edhe rrjetin mbështetës global të Wagner-it, sektorin ushtarak të Rusisë dhe miqtë e Putinit. Këto sanksione u ndërmorën për të degraduar kapacitetet e Federatës Ruse për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës, duke sanksionuar edhe tetë individë, 16 subjekte dhe katër avionë”, tha Bislimi.

Ai më tej tha se për këto arsye Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës propozon plotësim-ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës (të 16 majit 2022) për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga SHBA-ja, e që zbatohen nga ana e Republikës së Kosovës në raport me obligimet ndërkombëtare kundër grupit Wagner si dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tyre.

Më pas kabineti qeveritar e miratoi plotësimin e vendimit të 16 majit të vitit 2022, që parashihte sanksione ndaj Wagner-it bazuar në një vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës mori vendim po ashtu që të ndajë mjete buxhetore në vlerë prej 305.710 eurove për mbështetje financiare për gazetarët ukrainas dhe ata afganë të cilët janë strehuar në Kosovë.

Kategoritë
BotaLajmeVendi