“Ne duhet të shohim një zgjidhje të negociuar me dy shtete, me një shtet sovran palestinez, i cili përfshin Bregun Perëndimor dhe Gazën, së bashku me një Izrael të sigurt, me Kudsin si kryeqytet të përbashkët”, tha Dodds
BIRMINGHAM (AA) – Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se vendi do të kundërshtojë “çdo përpjekje” për të zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës në vendet fqinje arabe, transmeton Anadolu.
Duke u adresuar në Dhomën e Përfaqësuesve, ministrja britanike e Zhvillimit në Zyrën e Jashtme, Anneliese Dodds, tha se “nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve, as ndonjë reduktim në territorin e Rripit të Gazës”.
Ajo para ligjvënësve tha se palestinezët duhet të përcaktojnë të ardhmen e Gazës.
“Mbretëria e Bashkuar është e qartë, ne duhet të shohim një zgjidhje të negociuar me dy shtete, me një shtet sovran palestinez, i cili përfshin Bregun Perëndimor dhe Gazën, së bashku me një Izrael të sigurt, me Kudsin si kryeqytet të përbashkët”, tha Dodds.
Dodds tha se prioriteti i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar mbetet të sigurojë që “armëpushimi i brishtë të vazhdojë, që të gjithë pengjet të lirohen, që ndihma shumë e nevojshme të hyjë në Gaza dhe që të rindërtohet ajo rrugë drejt paqes së qëndrueshme”.
“Palestinezët duhet të përcaktojnë të ardhmen e Gazës me mbështetjen e vendeve rajonale dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar. Ne do të kundërshtonim çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët nga Gaza në vendet fqinje arabe kundër vullnetit të tyre. Nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve, as ndonjë reduktim në territorin e Rripit të Gazës”, tha ajo.
Të martën vonë, në një konferencë për media në Washington me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja do të “marrë përsipër” Gazën pas zhvendosjes së mbi 2 milionë palestinezëve gjetkë sipas një plani të jashtëzakonshëm ri-zhvillimi, për të cilin ai pretendoi se mund ta kthejë enklavën në “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Trump fillimisht shkaktoi bujë javën e kaluar duke sugjeruar se palestinezët në Gaza duhet të zhvendosen në Jordani dhe Egjipt, duke e quajtur enklavën një “vend të rrënuar” pas luftës 15-mujore të Izraelit që ka marrë të paktën 47 mijë jetë.
Një armëpushim që hyri në fuqi më 19 janar aktualisht është në fuqi.
Megjithatë, propozimi i Trumpit u refuzua me forcë në skenën globale.