Qeveria gjermane mohon se ka luajtur rol në mbylljen e zyrës së kanalit televiziv rus

“Më lejoni të filloj duke thënë se pretendimet ruse janë të rreme. Qeveria federale nuk e ka mbyllur zyrën e këtij stacioni. Gazetarët rusë mund të raportojnë lirisht dhe pa pengesa në Gjermani”, tha Wagner

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christian Wagner, ka deklaruar se qeveria gjermane nuk ka pasur asnjë rol në mbylljen e zyrës në Berlin të televizionit rus ‘Channel One’ (Pervy), transmeton Anadolu.

“Më lejoni të filloj duke thënë se pretendimet ruse janë të rreme. Qeveria federale nuk e ka mbyllur zyrën e këtij stacioni. Gazetarët rusë mund të raportojnë lirisht dhe pa pengesa në Gjermani”, tha Wagner për mediat në Berlin.

“Një numër gazetarësh rusë janë të akredituar nga Zyra Federale e Shtypit. Mund të supozoj se kjo ka të bëjë me çështje të ligjit të qëndrimit. Duhet të kontaktohen autoritetet shtetërore, të cilat i marrin këto vendime krejtësisht të pavarura nga qeveria federale”, shtoi ai.

Wagner theksoi se Bashkimi Evropian (BE) vendosi sanksione ndaj kanalit rus në muajin dhjetor të vitit 2022 dhe se kishte një ndalim të transmetimit të këtij kanali në Evropë.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, njoftoi se vendi i saj dëboi dy gazetarë gjermanë në një vendim hakmarrës.

Duke folur në një konferencë për media në Moska, Zakharova në përgjigje të ndalimit të Berlinit për punën e pikës korresponduese të televizionit rus ‘Channel One’ në Gjermani tha se Rusia mori “masa pasqyruese” kundër korrespondentëve të grupit mediat gjerman ‘ARD’.

“Ministria e Punëve të Jashtme tani ka ftuar kreun e korpusit të kësaj medie masive gjermane të shpallë këtë vendim. Në përgjigje të veprimeve jomiqësore të Berlinit ndaj korrespondentëve rusë, korrespondentët gjermanë u urdhëruan të dorëzojnë certifikatat e tyre të akreditimit dhe të largohen nga territori i Federatës Ruse”, tha Zakharova.

Ajo theksoi se Rusia mund të rishqyrtojë vendimin e saj, nëse autoritetet gjermane heqin ndalimin e aktiviteteve të televizionit ‘Channel One’ dhe lejojnë rihapjen e pikës korresponduese të saj.

Kategoritë
BotaLajme