Qeveria i obligoi lokalet ta shërbejnë, sa është i sigurt uji i çezmës në Prishtinë

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila i obligon lokalet e gastronomisë që t’i shërbejnë qytetarët me ujë nga rubineti nëse është i pijshëm, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka dalë me një komunikatë lidhur me cilësinë e ujit, raporton Express.

Sipas KRU “Prishtina”, uji që shpërndahet te konsumatorët është i sigurt për pije dhe se ka kontrolle ditore dhe periodike për cilësinë e ujit.

Nga kjo kompani kanë thënë se cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike “sipas parametrave të cilët janë në Pjesën A dhe C  në Udhëzimin Administrativ Nr.10/2021 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu”.

“Me monitoring të shpejtë, bazik dhe vijues çdo ditë do te bëhët mostrimi dhe analiza e ujit që prodhohet dhe distribuohet nga fabrikat e ujit në Albanik ,Badovc dhe Shkabaj (Ibër-Lepenc) nga objektet prodhuese Kastriot dhe Kroni, pastaj monitorimi javor i ujit që prodhohet në objektet prodhuese Shtime, Lipjan ,Drenas dhe Podujevë si dhe analiza e ujit në tre rezervuarët në qytet. Pra, uji që shpërndahet te konsumatorët është i sigurt për pije”, thuhet në komunikatë./Gazeta Express

Kategoritë
LajmeVendi