Qeveria izraelite shtyu formimin e komisionit që duhet të hetojë sulmin e Hamasit më 7 tetor

Kabineti i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, mbajti mbrëmë një takim për krijimin e një komisioni hetimor lidhur me sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023, në të cilin u vendos që të zhvillohen bisedime të tjera mbi këtë çështje pas tre muajsh.

Takimi u thirr pasi Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Izraelit, në dhjetor të vitit të kaluar, i urdhëroi qeverisë të zhvillonte një seancë dëgjimore për këtë çështje brenda 60 ditëve.

“Netanyahu ka hedhur poshtë vazhdimisht mundësinë e krijimit të çdo hetimi para përfundimit të luftës, ndërsa kritikët kanë pohuar se ai synon të krijojë një komitet me më pak kompetenca se një komision shtetëror, duke u frikësuar se kjo mund ta implikonte në këtë katastrofë,” shkruan The Times of Israel.

Takimi, në të cilin u diskutua për formimin e mundshëm të një komisioni shtetëror hetimor për dështimin në parandalimin e sulmit të Hamasit, zgjati katër orë.

Kategoritë
BotaLajme