Qeveria malazeze dorëzoi tokë për ndërtimin e Qendrës Islame në Podgoricë

Pasuria e paluajtshme do të kalojë pa pagesë në pronën e Meshihatit të Bashkësisë Islame me qëllim të ndërtimit të objektit të parë qendror të adhurimit në Podgoricë.

Qeveria e Malit të Zi ka dhënë miratim për dorëzimin e tokës Meshihatit të Bashkësisë Islame për ndërtimin e Qendrës Islame në Podgoricë.
“Ne udhëheqim një politikë në të cilën të gjitha bashkësitë fetare kanë të drejta dhe detyrime të njëjta, duke ndërtuar një shoqëri të pajtimit, të barazisë dhe të mirëqenies”, njoftoi Qeveria e Malit të Zi.
Qeveria malazeze i dha sot pëlqimin paraprak Kryeqytetit të Podgoricës për tjetërsimin e dy pronave të paluajtshme, me sipërfaqe 26.450 dhe 3.550 metra katrorë, vlera e të cilave është 6,9 milionë euro, në bazë të pëlqimit të marrë nga shumica e anëtarëve.
“Pasuria e paluajtshme do të kalojë pa pagesë në pronën e Meshihatit të Bashkësisë Islame me qëllim të ndërtimit të objektit të parë qendror të adhurimit në Podgoricë me objekte përcjellëse dhe rregullim të hapësirës së parkut përreth”, thuhet në Vendim. Ndryshe, në vendimin e Qeverisë theksohet se toka në fjalë nuk mund të përdoret për qëllime të tjera pa pëlqimin paraprak të Qeverisë.

Kategoritë
LajmeRajoni